BDI: Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë, VLEN dhe Driton Sulejmani të japin përgjegjësi për përfaqësimin e pabarabartë

BDI: Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë, VLEN dhe Driton Sulejmani të japin përgjegjësi për përfaqësimin e pabarabartë

Written by

in

Rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027 nxjerrin në pah një përfaqësim tejet të ulët të nxënësve shqiptarë, duke ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si po menaxhohet arsimi dhe mundësitë e barabarta nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thuhet në reagimin e sotëm të BDI-së.

“Nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë. Kjo do të thotë se pjesëmarrja e tyre në numrin e përgjithshëm të përfituesve është më pak se 10 për qind.

Edhe më shqetësues është fakti se në kategori të caktuara, përfaqësimi shqiptar është krejtësisht i papërfillshëm. Në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga gjithsej 50 bursa të ndara, asnjë nxënës shqiptar nuk ka përfituar bursë.

Ndërkaq, në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm 4 nxënës shqiptarë kanë përfituar bursë, përballë 150 bursave të ndara gjithsej.

Këto rezultate kërkojnë sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga zëvendësministri Driton Sulejmani, i cili duhet të shpjegojë se si është siguruar trajtimi i barabartë i nxënësve dhe nëse janë analizuar kriteret, procedurat dhe rezultatet sipas përkatësisë etnike.

VLEN nuk mund të mjaftohet me pozitat qeveritare dhe deklaratat për përfaqësim, ndërkohë që rezultatet konkrete në një fushë kaq të rëndësishme si arsimi kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.

Bursat nuk janë privilegj, por mundësi që duhet të ndahen mbi kritere të drejta dhe të barabarta. Nxënësit shqiptarë kanë të drejtë të njëjta për të përfituar nga mbështetja institucionale, ndërsa çdo rezultat që ngre dyshime për pabarazi meriton sqarim të plotë.
BDI kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikimin e të dhënave të plota për aplikimet, pikët e fituara dhe përfituesit sipas kategorive, si dhe sqarimin e kritereve mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur bursistët”, thonë nga BDI.

Nga atje shtojnë se arsimi nuk duhet të jetë fushë ku nxënësit shqiptarë mbeten të nënpërfaqësuar. Përgjegjësia për transparencën dhe mundësitë e barabarta është institucionale dhe nuk mund të shmanget me heshtje./Telegrafi/