BDI: Një nga raportet më negative të Komisionit Evropian, politikat e Qeverisë po e kthejnë vendin prapa

BDI: Një nga raportet më negative të Komisionit Evropian, politikat e Qeverisë po e kthejnë vendin prapa

Written by

in

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 është një nga vlerësimet më shqetësuese që Maqedonia e Veriut ka marrë në vitet e fundit. Ai dëshmon se vendi po humb ritmin e reformave, po mbetet gjithnjë e më larg integrimit evropian dhe po përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve, thuhet në reagimin e BDI-së.

“Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian. Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in: çështje të barazisë që duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, sot janë kthyer në shqetësim evropian.

VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel.

Balancuesi është shfuqizuar, mekanizmi i ri i përfaqësimit mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pengesa në realizimin e të drejtave të tyre gjuhësore.

Edhe në fushat e tjera, bilanci është alarmues: pa progres në luftën kundër korrupsionit, pa progres në lirinë e shprehjes, pa progres në prokurimet publike dhe pa progres në mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësisë. Një qeverisje që premtoi reforma, sot po prodhon stagnim në fusha themelore të shtetit.

Ndërkohë, Shqipëria po avancon në negociata, Mali i Zi po i afrohet përfundimit të tyre, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet jashtë dinamikës së re të zgjerimit, pa hapur as klasterin e parë.

Ky është çmimi që qytetarët po paguajnë për drejtimin politik të kësaj qeverie.

Maqedonia e Veriut po humb kohë evropiane, ndërsa shqiptarët po përballen sërish me kontestimin e të drejtave që i konsideronin të garantuara”, thonë nga BDI.

BDI vlerëson se ky raport duhet të shërbejë si alarm për ndryshim të menjëhershëm të kursit qeverisës. Barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk mund të vazhdojnë të jenë viktima të kësaj qeverisjeje./Telegrafi/