Bashkimi Evropian ka reaguar pas nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës duke theksuar se pret të konsultohet për çdo nismë të re që synon ndryshimin e legjislacionit për Speciale.
Në një përgjigje për Radio Dukagjinin, zëdhënësi i BE-së ka thënë se ky është një zhvillim të cilin Bashkimi Evropian po e përcjell nga afër.
Sipas BE-së, mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë.
“Ne kemi marrë parasysh njoftimin e fundit të autoriteteve të Kosovës se mund të përgatitet një projektligj i ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kjo është një çështje të cilën Bashkimi Evropian vazhdon ta përcjellë nga afër. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë. Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentes së Kosovës, presim që të konsultohemi për çdo nismë të re që synon ndryshimin e legjislacionit” thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së. Nga Bashkimi Evropian kanë theksuar gjithashtu se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten të një rëndësie të jashtëzakonshme. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten të një rëndësie të jashtëzakonshme”, thanë për Radio Dukagjinin.
Lidhur me projektligjin e ri për Gjykatën Speciale, kryeministri Albin Kurti në fillim të kësaj jave ka deklaruar se po pret që ekspertët ta përfundojnë draftin e ri për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ushtruesja e detyrës e kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ditë më parë ka thënë se në takim me kryeministrin Albin Kurti janë dakorduar që këtë javë të vazhdojë iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
Seanca për rishqyrtimin e ligjit për Specialen të cilin e ktheu në Kuvend nga presidentja, Justina Shiroka-Pula është shtyrë në Kuvendin e Kosovës. /RadioDukagjini/