Bashkimi Evropian ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe obligimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të këtij procesi.
Në një përgjigje për Kallxo.com, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka theksuar se dialogu nuk varet nga liderët individualë politikë dhe se të gjitha zotimet e deritanishme mbeten në fuqi.
“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të lehtësuar nga BE-ja apo obligimet e ndërmarra nga palët”- thuhet në përgjigjen e BE-së për Kallxo.com
BE-ja ka rikujtuar se këto obligime përfshijnë edhe ato që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e vitit 2023, si dhe Aneksi i Zbatimit të saj, i njohur si Marrëveshja e Ohrit.
“Dialogu, i lehtësuar nga BE-ja, nuk varet nga liderët individualë politikë. Të gjitha zotimet ekzistuese mbeten të vlefshme, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit (Marrëveshja e Ohrit)”- thuhet më tej në përgjigje.
Sa i përket mundësisë së ndryshimit të qëndrimit negociues të Serbisë pas zgjedhjeve, zëdhënësi i BE-së ka vlerësuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime.
“Në këtë fazë, do të ishte e parakohshme të spekulohej për ndryshime të mundshme në qëndrimin negociues të Serbisë apo për implikimet e tyre në dialog”- thuhet në përgjigje.
BE-ja pret që Serbia të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog, të respektojë zotimet ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Presim që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, t’i respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. BE-ja është e gatshme të angazhohet me udhëheqjen e re për të siguruar vazhdimësinë dhe për të ruajtur dinamikën e procesit”- tha zëdhënësi.
Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka hapur diskutime për të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi dhe ndikimin e mundshëm në përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë.
Burimi: Dukagjini
