
Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha është nderuar me çmimin “Global Hitmaker Award” në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”, në vlerësim të kontributit dhe suksesit të saj në industrinë ndërkombëtare të muzikës.
Në dedikimin për artisten, “Billboard Canada” ka rikujtuar ëndrrën e saj të fëmijërisë për të parë një ditë emrin e vet në listat prestigjioze muzikore.
“Përpara se Bebe Rexha të bëhej një krijuese e hiteve që arrijnë majat e shumë listave të Billboard-it, ajo ishte një vajzë e vogël që çdo javë shfletonte revistat e shtypura Billboard, duke shpresuar se një ditë do ta shihte emrin e saj të botuar në to. Në ceremoninë ‘Billboard Canada Women in Music 2026’, kjo ëndërr e fëmijërisë u bë realitet, teksa ajo pranoi çmimin ‘Global Hitmaker Award’”, shkroi Billboard Canada.
Gjatë pranimit të çmimit, Rexha mbajti një fjalim emocional, ku rrëfeu për fillimet e saj, ëndrrat muzikore dhe prejardhjen shqiptare.
Ajo kujtoi se si, kur ishte e vogël, shkonte me nënën në dyqan dhe kërkonte revistat “Billboard”, duke shpresuar që një ditë të bëhej pjesë e listës “Hot 100”.
“Kur isha më e vogël, shkoja me nënën time në dyqan dhe drejtohesha menjëherë te sektori i revistave. Në atë kohë blinim revistën ‘Billboard’. Shikoja të gjitha këngët në listën ‘Hot 100’ dhe mendoja: ‘O Zot, ndoshta një ditë do të arrij të shkruaj një këngë hit që do të jetë pjesë e kësaj liste’”, rrëfeu këngëtarja.
Artistja foli edhe për kulturën shqiptare dhe pritshmëritë tradicionale që, sipas saj, ekzistojnë në disa familje shqiptare ndaj vajzave, veçanërisht për martesën në moshë të re.
“Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh ajo me humor.
Rexha tregoi se ishte zhvendosur në Los Angeles në moshën 19-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore. Ajo kujtoi edhe kohën kur shkruante këngë në shtëpinë e prindërve në New York, duke treguar me humor se nëna e saj vendoste plastikë mbi mobiliet për t’i mbrojtur.
“Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, tregoi artistja.
Gjatë karrierës së saj, Bebe Rexha ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës botërore, përfshirë Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.
Në fund të fjalimit, ajo iu drejtua simbolikisht vetes së vogël, duke thënë se do të dëshironte t’i tregonte të mos shqetësohej aq shumë për të ardhmen, pasi ëndrrat e saj do të realizoheshin.
“Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, përfundoi Rexha, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali