Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka reaguar pas publikimit të nominimeve për edicionin e vitit 2027 të çmimeve prestigjioze “Grammy Awards”, ku emri i saj nuk u përfshi në asnjërën prej kategorive.
Pavarësisht suksesit të albumit të saj “Dirty Blonde”, të publikuar këtë vit, si dhe vëmendjes që mori hiti “New Religion”, në bashkëpunim me grupin Faithless, artistja nuk arriti të sigurojë një nominim.
Pritshmëritë ishin që kënga “New Religion”, e cila përfshin edhe një pjesë të këngës ikonike “Insomnia” të Faithless, të konkurronte në kategorinë “Best Dance Pop Recording” (Incizimi më i mirë Dance Pop). Megjithatë, kënga nuk u përfshi në listën e të nominuarve.
Pas këtij zhvillimi, interpretuesja e hitit “I’m Good (Blue)” ka shprehur zhgënjimin e saj përmes një reagimi në platformën X (ish-Twitter), ku fillimisht publikoi një emoji me kokën e ulur.
Më pas, ajo iu drejtua fansave me një tjetër mesazh, duke i falënderuar për mbështetjen dhe duke theksuar se mungesa e një nominimi nuk ia zbeh vlerën këngës.
“New Religion” mbetet një këngë e mrekullueshme, pavarësisht nëse merr apo jo nominim. Ju dua që kujdeseni kaq shumë”, shkroi Bebe Rexha.
Me këtë mesazh, këngëtarja duket se ka dashur të qetësojë fansat, të cilët kishin shprehur mbështetjen dhe pakënaqësinë e tyre për mungesën e saj në nominimet e këtij viti. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be