Besa Limani, e diplomuar në Biologji Aplikative në Universitetin e Prishtinës, e cila prej vitesh jeton në Berlin të Gjermanisë, ka ndërmarrë një iniciativë për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në shkollat publike ku vijojnë mësimin fëmijët shqiptarë.
Si nënë dhe pjesë e komunitetit shqiptar në Berlin, Limani ka shprehur shqetësimin për numrin e prindërve që nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës amtare.
Për këtë arsye, ajo ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të prindërve shqiptarë në distriktin ku jeton, me synimin që gjuha shqipe të ketë një vend të institucionalizuar në sistemin e mësimit plotësues në shkollat publike, shkruan Telegrafi.
Nisma synon krijimin e kushteve më të mira që fëmijët shqiptarë në Berlin të mësojnë, ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën e tyre amtare, duke pasur mundësi ta përcjellin atë edhe te brezat e ardhshëm.
Limani u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë në Berlin që të përkrahin këtë iniciativë dhe t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të familjeve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Nisma e saj vë në pah rëndësinë e organizimit të komunitetit shqiptar në diasporë dhe përpjekjet për t’u siguruar fëmijëve mundësinë që, krahas gjuhës së vendit ku jetojnë, të mos humbin lidhjen me gjuhën e prindërve dhe prejardhjen e tyre./Telegrafi/