
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar 82-vjetorin e themelimit, me një ceremoni ku u prezantuan të arriturat, zhvillimi dhe puna e këtij institucioni ndër vite.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, e cila vlerësoi rëndësinë e Bibliotekës në ruajtjen e kujtesës intelektuale dhe kulturore të vendit.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e mëtejmë të këtij institucioni.
Gjatë ceremonisë u prezantuan të arriturat e vitit 2026, ku ndër zhvillimet kryesore u veçuan zgjerimi i veprimtarisë kulturore, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimi i proceseve të digjitalizimit.
Një nga arritjet e rëndësishme të prezantuara ishte digjitalizimi i rreth katër milionë faqeve të gazetave, librave, revistave dhe materialeve të tjera arkivore.
Po ashtu, në këtë ceremoni u prezantua edhe vepra “Bibliografia e librit shqip 1912-1974”, e cila konsiderohet një kontribut në dokumentimin e historisë së librit shqip dhe zhvillimit intelektual e kulturor shqiptar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali