Bisedat në ‘Sky ECC’ tronditin regjimin e Vuçiqit: Kriminelët pretendonin marrëveshje me të, përmendet zyrtari i BIA-s i lidhur me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin

Bisedat në ‘Sky ECC’ tronditin regjimin e Vuçiqit: Kriminelët pretendonin marrëveshje me të, përmendet zyrtari i BIA-s i lidhur me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin

Written by

in

Një investigim i ri i revistës serbe Radar, i mbështetur në komunikimet e koduara të platformës Sky ECC, ka nxjerrë në dritë dëshmi të rënda për lidhje ndërmjet Aleksandar Vuçiqit, anëtarëve të familjes së tij, drejtuesve të shërbimeve të inteligjencës dhe disa prej grupeve më të fuqishme të krimit të organizuar në Ballkan.

Mesazhet e publikuara nga gazetarët investigativë Vuk Z. Cvijiq dhe Milan Radonjiq sugjerojnë se përfaqësues të karteleve të drogës pretendonin se kishin komunikim të drejtpërdrejtë me kreun e pushtetit serb, se kishin negociuar marrëveshje me njerëz të afërt me të dhe se kishin siguruar mbështetje nga zyrtarë të institucioneve shtetërore.

Në qendër të investigimit janë komunikimet e Darko Shariqit, i dënuar për trafikim ndërkombëtar të kokainës, dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe mesazhet e anëtarëve të klanit rival Shkaljar, të cilët përmendin Vuçiqin, vëllain e tij Andrej, djalin Danilo, ish-ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin dhe drejtues të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Një element veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën është përmendja e zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, të cilin Radar e përshkruan si person me lidhje të afërta me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, dy figura që dikur kishin ndikim në veri të Kosovës.

Investigimi ngre dyshime se lidhjet ndërmjet politikës, shërbimeve të inteligjencës dhe krimit të organizuar nuk ishin kontakte të izoluara, por pjesë e një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh, përmes të cilit grupet kriminale pretendonin se siguronin mbrojtje, ndikim institucional dhe favore politike.

“Ne e quajmë Vuçiqin Oskar” – Mesazhet që zbulojnë identitetin e koduar

Një nga zbulimet kryesore të investigimit lidhet me identifikimin e personit që në komunikimet e Sky ECC përmendej me nofkat “Oskar” dhe “Çvarak”.

Sipas Radar, mesazhet e shkëmbyera ndërmjet Darko Shariqit, vëllait të tij Dushko Shariq dhe bashkëpunëtorit Zhelko Vujanoviq tregojnë se këto emërtime i referoheshin Aleksandar Vuçiqit.

Më 3 qershor 2020, Darko Shariq i shkruante Vujanoviqit, i cili ishte dënuar për përfshirje në kontrabandën e pothuajse gjashtë tonëve kokainë, duke përmendur drejtpërdrejt Vuçiqin.

“Ky Oskar ua bëri të qartë të gjithëve se ai vendos për mua. Ne e quajmë Vuçiqin Oskar. Nëse ai do t’ia kishte dhënë dikujt tjetër një deklaratë të tillë, tashmë do të ishte në burg”, thuhet në komunikimin e publikuar.

Vujanoviq i përgjigjej se e dinte identitetin e personit të quajtur Oskar, ndërsa në një tjetër shkëmbim mesazhesh, më 31 korrik 2020, e identifikonte atë si Vuçiqin.

Më 20 nëntor të po atij viti, Darko Shariq i shkruante vëllait të tij: “Çvarak është Oskar”.

Sipas autorëve të investigimit, këto komunikime kanë rëndësi sepse lidhin drejtpërdrejt emrin e Vuçiqit me bisedat e personave të përfshirë në krimin e organizuar, të cilët diskutonin për ndikimin e mundshëm të politikës në çështjet e tyre gjyqësore.

Radar shkruan se Shariqi kishte zhvilluar negociata për kushtet e dorëzimit të tij dhe se në komunikimet e mëparshme përmendej edhe financimi i Partisë Progresive Serbe (SNS).

Në një prej mesazheve të publikuara më herët, një person i identifikuar nga mediumi si Vuçiq kishte dhënë garanci për ndërhyrje në rast të një vendimi të pafavorshëm gjyqësor, përfshirë mundësinë e faljes.

Megjithatë, përmbajtja e këtyre komunikimeve nuk provon në vetvete se një marrëveshje e tillë është realizuar.

Djali dhe vëllai i Vuçiqit në komunikimet e kartelit të drogës

Investigimi nuk kufizohet vetëm te Aleksandar Vuçiqi.

Në komunikimet e publikuara përmenden edhe vëllai i tij Andrej Vuçiq dhe djali Danilo Vuçiq, për të cilët bashkëpunëtorët e Shariqit diskutonin në kontekstin e takimeve dhe kontakteve me persona të përfshirë në procedura penale.

Sipas Radar, Danilo Vuçiq ishte takuar me Aleksandar Boshkoviqin, një bashkëpunëtor të Shariqit nga Valjeva, i përfshirë në një proces gjyqësor lidhur me përpjekjet për diskreditimin e dëshmitarit bashkëpunues Nebojsha Joksoviq.

Ndërkaq në komunikimet e Sky ECC gjendet edhe një fotografi e përbashkët e Danilo Vuçiqit dhe Boshkoviqit, të cilën ky i fundit ia kishte dërguar Darko Shariqit më 9 korrik 2020.

Danilo Vuçiq dhe Aleksandar Boshkoviq Vojvoda Burimi: SKY ECC

Në një mesazh të 26 janarit 2020, Dushko Shariq i tregonte vëllait të tij se kishte marrë një komunikim nga një person që ai e përshkruante si djalin e Oskarit.

Sipas mesazhit, ky person i kishte përcjellë falënderime në emër të babait të tij, pas kontakteve me Boshkoviqin.

Në një tjetër komunikim, më 25 maj 2020, Dushko Shariq përmendte mundësinë e një takimi me djalin e Oskarit për t’i dorëzuar votat që pretendonte se kishte mbledhur.

Ndërkohë, Andrej Vuçiq përmendet në komunikimet e shkurtit dhe majit 2020.

Më 27 shkurt 2020, Dushko Shariq i shkruante vëllait se “vëllai i Oskarit” dëshironte të takohej me Aleksandar Boshkoviqin.

Në një tjetër mesazh, të 20 majit, ai shkruante: “Mendoj se do ta takoj vëllain e Oskarit. Ai dëshiron të më shohë që t’ia jap këto 2.000 vota”.

Këto komunikime, sipas Radar, ngrenë dyshime për ndërthurjen e interesave të grupeve kriminale me aktivitetin politik dhe zgjedhor të partisë në pushtet.

BIA në qendër të dyshimeve – Mesazhet për transferimin e 100 mijë eurove

Një tjetër pjesë e rëndësishme e investigimit lidhet me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.

Në komunikimet e vëllezërve Shariq përmenden zyrtarë të BIA-s dhe dëshmi për transferime parash, ndërmjetësime dhe sigurim informacionesh nga institucionet shtetërore.

Më 10 maj 2020, Dushko Shariq i shkruante vëllait të tij se një person nga BIA kishte kërkuar transferimin e 100 mijë eurove përmes Aleksandar Boshkoviqit.

“Ky nga BIA më kërkoi përmes Dukës t’u transferoja 100.000 dhe t’ia jepja dikujt prej tyre. Unë e përfundova dhe ai më falënderoi”, thuhet në mesazh.

Aleksandar Bošković Vojvoda Foto: SKY ECC

Dhjetë ditë më vonë, më 20 maj, Dushko pretendonte se shuma ishte transferuar për një zyrtar të quajtur Markus. Ky emërtim përdorej për Marko Parezanoviqin, atëherë një zyrtar i lartë i BIA-s.

Investigimi përmend edhe një takim të zhvilluar në zyrën e Parezanoviqit, ku, sipas revistës, kishin qenë të pranishëm kryetari i Gjykatës së Apelit në Beograd dhe Dushko Shariq.

Përveç Parezanoviqit, në material përmenden edhe Danilo Stojanoviq dhe Milutin Radovanoviq, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të akuzuar në një procedurë që lidhej me përcjelljen e informacioneve te bashkëpunëtorët e Shariqit.

Sipas aktakuzës së përshkruar nga Radar, Boshkoviqi kishte marrë informacione nga strukturat e policisë dhe inteligjencës, të cilat më pas i përcilleshin Shariqit.

Në atë proces, Shariqi ishte dënuar në shkallën e parë me gjashtë vjet burg, ndërsa Boshkoviqi me një vit, për veprime që lidheshin me diskreditimin e dëshmitarit bashkëpunues.

Nga një klan kriminal te tjetri – Marrëveshje me Shkaljarët

Investigimi i Radar thekson se kontaktet e pushtetit serb me grupet kriminale kishin marrë një dimension tjetër pas arrestimit të grupit të Veljko Belivukut në shkurt të vitit 2021.

Sipas revistës, pas goditjes së këtij grupi, të lidhur me klanin Kavaç, autoritetet në Beograd dyshohet se kishin filluar afrimin me klanin rival Shkaljar.

Në qendër të komunikimeve është Radomir Baqoviq, një anëtar i rangut të lartë të klanit Shkaljar nga Nikshiqi, i cili diskutonte me bashkëpunëtorin e tij Alen Kurina për kontaktet me zyrtarët serbë.

Më 24 shkurt 2021, Baqoviq shkruante se kishte marrë garanci drejtpërdrejt nga Aleksandar Vuçiqi për mundësinë e ardhjes së tij në Serbi.

Ai diskutonte gjithashtu për mundësinë e përfshirjes në aktivitete të ligjshme ekonomike, përfshirë projekte infrastrukturore dhe përfitime nga kontrata biznesi.

“Duhet t’i shfrytëzojmë tani dhe të marrim gjithçka që mundemi. Le të na japin biznes, vetëm ligjërisht”, shkruante ai.

Në të njëjtin komunikim, Baqoviq thoshte se kishte marrë mbështetje nga kreu i pushtetit serb dhe se Aleksandar Vulin ishte i përfshirë në organizimin e kontakteve.

“Dhe Vuçko ma dha këtë drejtpërdrejt. Vulini e drejton”, thuhet në një prej mesazheve.

Sipas investigimit, në këto komunikime përmendet edhe Bratislav Gashiq, atëherë drejtor i BIA-s.

Më 26 shkurt 2021, Baqoviq i shkruante bashkëpunëtorit të tij: “Kumbar, morëm një ofertë që nuk mund ta refuzojmë. Dhe atë drejtpërdrejt nga Vuçko. Nuk kaloi përmes Zvonkos këtë herë, as përmes tri duarve, por drejtpërdrejt. Pra, jemi pikërisht në krye”.

Ky mesazh është ndër më të rëndësishmit e investigimit, pasi autori i tij pretendonte se një marrëveshje ishte ofruar drejtpërdrejt nga Vuçiqi, pa ndërmjetësimin e personave të tjerë.

Megjithatë, mbetet e paverifikuar në mënyrë të pavarur nëse oferta e përshkruar nga Baqoviqi është bërë realisht nga Vuçiqi.

Bojan Dimiq, zyrtari i BIA-s me lidhje me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin

Një nga pjesët më domethënëse të investigimit për Kosovën lidhet me Bojan Dimiqin, zyrtarin e lartë të BIA-s, i cili sipas Radar kishte rol në kontaktet ndërmjet autoriteteve serbe dhe anëtarëve të klanit Shkaljar.

RADAR e identifikon Dimiqin si drejtues të administratës së parë të BIA-s, strukturë që merret me çështje të kundërzbulimit, terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Sipas investigimit, Dimiqi është me origjinë nga Prishtina dhe ka marrëdhënie të afërta miqësore me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.

Të dy këta emra përmenden në komunikimet e Sky ECC të publikuara nga Radar.

Radar raporton më tej se Dimiqi kishte shërbyer si person kontakti në organizimin e ardhjes së Radomir Baqoviqit në Serbi, në një periudhë kur ky i fundit kërkonte garanci për sigurinë dhe statusin e tij.

Foto: AK/ATAImages

Në një prej komunikimeve, Baqoviq kishte dërguar fotografinë e personit që do ta priste dhe do të mbante kontaktet me të.

Sipas revistës, personi në fotografi ishte pikërisht Bojan Dimiq.

Në mesazhet e publikuara, Baqoviq diskutonte për nevojën e heqjes së kufizimeve që pengonin hyrjen e tij në Serbi, si dhe për garancitë që kërkonte nga autoritetet.

Ai pretendonte se dëshironte të siguronte mbrojtje për veten dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë mundësinë e shoqërimit nga persona të armatosur.

Përmendja e Dimiqit në këtë kontekst është veçanërisht e rëndësishme për shkak të lidhjeve që Radar i atribuon atij me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin.

Roli i Radoiçiqit dhe Veselinoviqit në komunikimet e Sky ECC

Emrat e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit shfaqen në disa pjesë të investigimit, duke ngritur pyetje për rolin e tyre të mundshëm si ndërmjetësues në rrjetin e kontakteve ndërmjet politikës, shërbimeve të sigurisë dhe grupeve kriminale.

Në një komunikim të 3 qershorit 2020, Darko Shariq përmendte një person me emrin Milan, për të cilin Radar, duke iu referuar informacioneve jozyrtare, shkruan se mund të bëhet fjalë për Milan Radoiçiqin.

“Milani është mirë. Por ky Oskar ua ka bërë të qartë të gjithëve se vendos për mua. Do të dëgjoni nga Milani”, thuhej në mesazh.

Ndërkohë, në komunikimin e 26 shkurtit 2021, Baqoviq theksonte se oferta e pretenduar nga Vuçiqi nuk kishte ardhur përmes “Zvonkos”, por drejtpërdrejt.

Rardar e lidh këtë kontekst me rrjetin e kontakteve të përshkruara në investigim, ku përmendet edhe Zvonko Veselinoviqi.

Vulin dhe komunikimet në Sky ECC – Një tjetër kundërthënie

Investigimi i Radar trajton edhe rolin e Aleksandar Vulinit, ish-ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas revistës, komunikimet e anëtarëve të klanit Shkaljar në shkurt dhe mars të vitit 2021 tregojnë se Vulini përmendej si person i rëndësishëm në organizimin e kontakteve me autoritetet serbe.

Kjo periudhë përkon me deklaratën e tij publike të 6 marsit 2021, kur ai mbështeti idenë që posedimi i telefonave me aplikacionin Sky të konsiderohej vepër penale.

Radar vëren se kjo deklaratë erdhi vetëm disa ditë pas komunikimeve në të cilat anëtarët e klanit Shkaljar diskutonin për marrëveshje të pretenduara me autoritetet në Beograd.

Radar e interpreton qëndrimin e Vulinit si një paralajmërim të mundshëm për përdoruesit e platformës së koduar, në një kohë kur autoritetet franceze dhe belge kishin arritur të depërtonin në sistemin e komunikimit Sky ECC.

Megjithatë, kjo mbetet një interpretim i revistës dhe jo një përfundim i konfirmuar nga ndonjë vendim gjyqësor i cituar në material.

“Vuçko tani është vëllai ynë, Andrej është kumbari kryesor”

Një nga komunikimet më të drejtpërdrejta të publikuara nga Radar është ai i 4 marsit 2021, kur Radomir Baqoviq i shkruante bashkëpunëtorit të tij për marrëdhëniet që pretendonte se kishte krijuar me përfaqësuesit e pushtetit serb.

“Vuçko tani është vëllai ynë. Andrej është kumbari kryesor. Kush do ta kishte menduar? Nuk mund ta imagjinoj që mund të jemi miq me ta. Ende nuk e besoj”, thuhet në mesazh.

Në komunikime të tjera, Baqoviq shprehej se marrëdhëniet kishin arritur deri në nivelin më të lartë politik.

“Presidenti drejtpërdrejt bën ofertën”, shkruante ai, sipas transkripteve të publikuara.

Investigimi në prag të zgjedhjeve – Akuza për ndërthurjen e politikës me krimin e organizuar

Publikimi i investigimit vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, në një periudhë kur Aleksandar Vuçiq dhe Partia Progresive Serbe përballen me sfida të rëndësishme politike.

Vuçiq dhe partia e tij vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes nga SHBA dhe BE, për tendencë të madhe të manipulimit dhe përgjimeve për ta ruajtur pushtetin.

Komunikimet e Sky ECC tregojnë një model bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe grupeve të organizuara kriminale, i cili shtrihej në disa institucione shtetërore serbe.

Ky rrjet përfshinte kontakte politike, ndërmjetësime për çështje gjyqësore, sigurim informacionesh nga institucionet e sigurisë dhe marrëveshje për përfitime ekonomike.

Radar shkon deri aty sa ta përshkruajë sistemin  si një strukturë në të cilën pushteti politik dhe interesat e grupeve kriminale ndërthureshin fort mes vete.

Për Kosovën, një aspekt me rëndësi të veçantë mbetet përmendja e Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiq, në komunikimet që mediumi i vendos në kontekstin e marrëdhënieve të dyshuara ndërmjet pushtetit serb dhe krimit të organizuar. /The GeoPost

Burimi: Dukagjini