Inspektorati Shtetëror i Tregut do të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme dhe të intensifikuara te tregtarët në të gjithë vendin, me rastin e aksionit të shitjeve dhe zbritjeve për “Black Friday”.
Kontrollet do të përqendrohen te ligjshmëria e zbritjeve, mënyra e reklamimit dhe shënimi i çmimeve, si dhe informimi i saktë i konsumatorëve për kushtet e ofertave. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pajisjeve shtëpiake, elektronikës, telefonave celularë, kompjuterëve, veshmbathjeve, këpucëve dhe mobilieve.
Inspektorati paralajmëron veçanërisht për paraqitjen e rreme të zbritjeve, rritjen e pajustifikuar të çmimeve para uljes së tyre dhe reklamimin mashtrues, me qëllim që konsumatorët të mos bien pre e ofertave të rreme.
Nga Inspektorati u bëjnë thirrje tregtarëve që t’i respektojnë detyrimet ligjore dhe t’i paraqesin çmimet dhe zbritjet në mënyrë të qartë dhe transparente. Në rast të konstatimit të parregullsive, do të ndërmerren masa përkatëse ligjore.
Qytetarët që vërejnë shkelje të të drejtave të konsumatorëve mund t’i paraqesin ato në numrin pa pagesë 191 ose përmes ueb-faqes zyrtare www.dpi.gov.mk.