Normat e interesit për kreditë hipotekare në Gjermani janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2009, duke e bërë edhe më të vështirë blerjen e një shtëpie.
Sipas të dhënave të ndërmjetësit të kredive Interhyp, interesi mesatar për kreditë me normë fikse dhjetëvjeçare ka arritur në afro 4.5%, ndërsa rritja e kostove po ndikon edhe në sektorin e ndërtimit.
Rritja e inflacionit dhe pasiguria ekonomike, të lidhura me përshkallëzimin e konfliktit në Iran, po ushtrojnë presion mbi tregun gjerman të pasurive të paluajtshme.
Sipas raportimit të mediumit publik gjerman Tagesschau, normat mesatare të interesit për kreditë hipotekare dhjetëvjeçare janë rritur nga 3.6 për qind në mars dhe 3.9 për qind në maj, duke arritur tashmë në rreth 4.5%.
Kështu, është tejkaluar edhe niveli prej 4.4%, i regjistruar në fund të vitit 2023. Norma kaq të larta nuk janë parë që nga periudha e krizës financiare të vitit 2009, shkruan Tagesschau, transmeton Telegrafi.
Rritja e interesave po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët që planifikojnë të blejnë një shtëpi ose apartament.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Interhyp, Jörg Utecht, rritja e fundit e normave të interesit mund të nënkuptojë gati 200 euro më shumë në pagesat mujore për një financim tipik.
Kjo situatë po i bën blerësit më të kujdesshëm, ndërsa shumë prej tyre po e shtyjnë vendimin për blerjen e një prone për shkak të kostove të larta dhe pasigurisë ekonomike.
Utecht vlerëson se një lehtësim i ndjeshëm i normave të interesit do të varet, ndër të tjera, nga një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit në Iran dhe nga zbutja e presioneve inflacioniste.
Pavarësisht rritjes së kostove të financimit, çmimet e pronave nuk kanë rënë në nivelin që do ta bënte blerjen e tyre të përballueshme për shumë familje.
Sipas Dirk Wohltorf, president i Shoqatës Gjermane të Pasurive të Paluajtshme (IVD), shumë shitës vazhdojnë të bazohen te çmimet e larta të viteve 2021 dhe 2022.
Megjithatë, çmimet e publikuara në internet shpesh nuk përputhen me vlerën përfundimtare të shitjes. Për këtë arsye, blerësit kanë mundësi të negociojnë ulje çmimesh, veçanërisht për pronat ekzistuese.
Wohltorf thekson se agjentët imobiliarë po ndërmjetësojnë më pak kontrata shitjeje sesa në vitet e kaluara, pasi blerësit janë bërë më të pasigurt dhe më hezitues.
Rritja e interesave dhe kostove po rëndon edhe mbi sektorin e ndërtimit.
Sipas Shoqatës së Ndërtimit të Bavarisë, porositë për ndërtimin e banesave në këtë land kanë rënë me 3.2 për qind që nga korriku 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Vetëm në krahasimin vjetor për muajin korrik, rënia ka arritur në 8.2 për qind.
Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se shumë kompani ndërtimi kanë gjithnjë e më pak porosi dhe se projektet e reja mund të vazhdojnë të pakësohen.
Megjithatë, normat e interesit nuk janë problemi i vetëm. Kostot e larta të materialeve të ndërtimit, shpenzimet e punës, tarifat shtesë dhe kërkesat rregullatore po ndikojnë gjithashtu në çmimin përfundimtar të banesave.
Sipas shoqërisë gjermane të financimit të banesave LBS, një nga pengesat kryesore për blerjen e pronave është mungesa e kapitalit vetjak.
Kjo prek veçanërisht të rinjtë dhe familjet që nuk kanë kursime të mjaftueshme për të mbuluar parapagimin dhe shpenzimet shtesë të blerjes.
Me normat e interesit pranë 4.5 për qind dhe çmimet ende të larta të pasurive të paluajtshme, ëndrra për të pasur një shtëpi të vetën po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u realizuar për një pjesë të madhe të qytetarëve në Gjermani.
Ekspertët presin që zhvillimi i mëtejshëm i tregut të varet nga ecuria e inflacionit, normat e interesit dhe aftësia e blerësve për të përballuar kostot e financimit./Telegrafi/