
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit në Kosovë, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se projekti për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit po avancon sipas planit dhe se projekti kryesor është drejt finalizimit.
Përmes një njoftimi, Bogujevci ka bërë të ditur se për ecurinë e projektit është njoftuar nga ekipi projektues, duke e cilësuar këtë investim si një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kulturën në Kosovë.
“Sot u njoftuam nga ekipi projektues për ecurinë e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për kulturën në Kosovë, që do të ndikojë në zhvillimin e institucioneve tona të arteve muzikore dhe skenike për dekadat që vijnë”, ka shkruar ajo.
Ministrja tha se projekti është hartuar nga një studio prestigjioze daneze e arkitekturës, ndërsa shtoi se sipas prezantimit të bërë, objekti do të përfshijë katër salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira për prova dhe përgatitje të artistëve, si dhe ambiente për edukim, konferenca dhe aktivitete publike.
“Nga prezantimi pamë se projekti kryesor është drejt finalizimit dhe po avancon në përputhje me planin dinamik të paraparë”, u shpreh ministrja e Kulturës.
Bogujevci shtoi se ndërtimi i këtij institucioni pritet të krijojë kushte moderne për artistët dhe institucionet kulturore, si dhe të ndikojë në zhvillimin e arteve muzikore dhe skenike në vend.
Ajo ka bërë të ditur se pas përfundimit të projektit zbatues, Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të nisë procedurat e prokurimit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. /Klankosova.tv