Bordi i RTK-së viziton përgatitjet për “Akordet e Kosovës”

Bordi i RTK-së viziton përgatitjet për "Akordet e Kosovës"

Written by

in

Anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës kanë vizituar Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit organizohet nën emërtimin historik “Akordet e Kosovës ”.

Gjatë vizitës, anëtarët e Bordit u shoqëruan nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoresha e Televizionit të Kosovës, njëherësh drejtoreshë e Festivalit të Këngës, Arta Avdiu.

Ata panë nga afër ecurinë e ndërtimit të skenës dhe përgatitjet për realizimin e këtij produksioni muzikor, duke vlerësuar angazhimin e ekipeve profesionale dhe punën e deritanishme.

Anëtari i Bordit të RTK-së, Fatmir Podrimaj, u shpreh i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve, duke theksuar se punimet po zhvillohen sipas planifikimeve.

“Përgatitjet, siç po shohim ne si ekip i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, po shkojnë shumë në rregull. Jemi me kohë dhe besoj se do të arrijmë të krijojmë një spektakël që do t’u pëlqejë të gjithë shikuesve dhe të pranishmëve në Sallën ‘1 Tetori’”, tha Podrimaj.

Edicioni i sivjetmë sjell disa risi, ndër të cilat rikthimin e emërtimit “Akordet e Kosovës” dhe përfshirjen e kategorisë për fëmijë. Festivali do të zhvillohet gjatë tri mbrëmjeve muzikore, ndërsa njëra prej tyre do t’u kushtohet artistëve të vegjël. Anëtari tjetër i Bordit, Ilirjan Himaj, vlerësoi se përfshirja e fëmijve i jep festivalit një dimension të ri dhe krijon mundësi për promovimin e talenteve të reja.

“Këtë vit festivali vjen për herë të parë me emrin ‘Akordet e Kosovës’, duke përfshirë edhe edicionin për fëmijë. Mezi po presim të shohim se si do të funksionojë kjo risi. Besoj se do t’i japë freski dhe një emocion më të veçantë festivalit”, u shpreh Himaj.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë së festivalit si një projekt kulturor i transmetuesit publik.

Sipas Himajt, tashmë ekziston një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e festivalit, e cila synon të kontribuojë në organizimin e tij edhe në të ardhmen.

“Festivali do të hyjë në repertorin e rregullt të Radiotelevizionit të Kosovës dhe do të jetë i përvitshëm”, deklaroi Himaj.

Festivali i Këngës në RTK organizohet për të katërtin edicion, ndërsa rikthimi i emërtimit historik “Akordet e Kosovës” synon të ruajë trashëgiminë e një prej ngjarjeve të njohura muzikore në vend.

Me tri mbrëmje muzikore dhe përfshirjen e kategorisë për fëmijë, “Akordet e Kosovës ” synon të ndërthurë traditën me krijimtarinë bashkëkohore, duke promovuar artistët dhe talentet e reja në skenën muzikore të Kosovës.

Burimi: RTKLive