Bosnja dhe Hercegovina dëbon katër shtetas iranianë, dyshohet se merreshin me spiunazh

Bosnja dhe Hercegovina dëbon katër shtetas iranianë, dyshohet se merreshin me spiunazh

Written by

in

Katër shtetas iranianë janë dëbuar nga Bosnja dhe Hercegovina nën dyshimet për përfshirje në aktivitete të inteligjencës dhe spiunazh.

Tre prej tyre kishin status diplomatik në Ambasadën e Iranit në Sarajevë, ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, transmeton Telegrafi.

Sipas portalit Istraga.ba, të cilit i referohet Hina, shtetasit iranianë u larguan nga territori i Bosnjës dhe Hercegovinës më 25 nëntor, pasi Konakoviq nënshkroi vendimin për dëbimin e tyre dhe shpalljen persona të padëshiruar (persona non grata).

Vendimi u mor në bazë të informacioneve të mbledhura nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA).

“Bëhet fjalë për një çështje sigurie. Ne kemi vepruar duke përcjellë kërkesën. Kjo është çështje e agjencive të sigurisë dhe ato mund të komentojnë nëse dëshirojnë”, deklaroi Konakoviq, raporton Raport.

Në mesin e personave të dëbuar janë këshilltari i tretë në Ambasadën iraniane në Sarajevë, Hossein Mahdian Fard, si dhe atashetë Morteza Fazali dhe Ehsan Sajjadi Monazzah.

Lista përfshin edhe Seyed Yaser Seyed Mohammad, për të cilin ende nuk është konfirmuar zyrtarisht statusi me të cilin qëndronte në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas informacioneve të agjencive të sigurisë, Fard është identifikuar si zyrtar i Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS), e njohur edhe si Vevak.

Kjo agjenci vlerësohet se ka rreth 30 mijë punonjës dhe është drejtpërdrejt nën autoritetin e udhëheqësit suprem fetar të Iranit. Ajo është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut, aktivitete të paligjshme të inteligjencës dhe operacione të fshehta jashtë vendit.

Fard kishte mbërritur në Bosnjë dhe Hercegovinë në mesin e vitit 2025, kur ishte akredituar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme si këshilltar në ambasadën iraniane. Para transferimit në Sarajevë, ai kishte shërbyer për dhjetë vjet në misione diplomatike në Gjermani. /Telegrafi/

Ndërkaq, sipas të dhënave të shërbimeve të sigurisë, tre shtetasit e tjerë iranianë që u dëbuan dyshohet se kishin lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC).