BQK-ja dorëzon aplikimin e Kosovës për përfshirje në SEPA

BQK-ja dorëzon aplikimin e Kosovës për përfshirje në SEPA

Written by

in

Banka Qendrore e Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirjen e Kosovës në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar dhe ekonomik me Bashkimin Evropian.

Sipas BQK-së, ky aplikim është rezultat i reformave ligjore, rregullative dhe institucionale të ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik 2024-2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA është përcaktuar si një nga objektivat kryesore të institucionit.

Tutje bëhet e ditur se përfshirja në këtë hapësirë do t’u mundësonte qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë të realizojnë pagesa ndërkufitare në euro në mënyrë më të shpejtë, më efikase dhe me kosto më të ulët.

BQK-ja ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi janë avancuar dhe përfunduar një sërë reformash, përfshirë përafrimin e legjislacionit me kërkesat evropiane përmes Ligjit për Shërbimet e Pagesave, Ligjit për Bankat dhe ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT).

Gjithashtu, kuadri ligjor është plotësuar me aktet përkatëse rregullative të miratuara dhe publikuara nga BQK-ja.

Në këtë proces, BQK-ja ka bashkëpunuar me Kuvendin e Kosovës, Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera vendore, si dhe ka marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga Banka Botërore. Bashkëpunimi dhe dialogu me Komisionin Evropian dhe institucionet përkatëse evropiane kanë qenë gjithashtu pjesë e përgatitjeve.

Siç bën të ditur BQK-ja, aplikimi tashmë do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane, të cilat do të vlerësojnë përputhshmërinë e kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës me kërkesat për përfshirje në këtë hapësirë.

Në rast të një vendimi pozitiv, do të pasojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.

BQK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet evropiane, bankat komerciale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave për përgatitjet teknike dhe operacionale që kërkohen për integrimin e plotë në SEPA.

Sipas BQK-së, dorëzimi i aplikimit përbën një rezultat konkret të reformave të ndërmarra dhe një hap drejt integrimit financiar evropian, me përfitime të pritshme afatgjata për qytetarët dhe bizneset.

Kurti takohet me guvernatorin e BQK-së, diskutojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në SEPA

Burimi: Dukagjini