BQK: Ndryshimet në Ligjin për pastrimin e parave, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në SEPA

BQK: Ndryshimet në Ligjin për pastrimin e parave, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në SEPA

Written by

in

BQK: Ndryshimet në Ligjin për pastrimin e parave, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në SEPA

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas BQK-së, me miratimin e këtyre ndryshimeve plotësohet një nga kushtet kryesore legjislative për avancimin e procesit, të cilin institucioni e kishte nisur me paraaplikimin në vitin 2024.

Pas hyrjes së ligjit në fuqi, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e bëra ndërkohë në legjislacionin evropian. Ky proces do të zhvillohet në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.

Pas përfundimit të këtyre hapave, aplikimi i Kosovës do të dorëzohet për shqyrtim, në përputhje me procedurat dhe afatet e institucioneve kompetente evropiane.

Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vazhdon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA.

Banka Qendrore ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për ta avancuar sa më shpejt këtë proces, duke siguruar përmbushjen e kërkesave të nevojshme dhe koordinimin me institucionet evropiane.

Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet t’u mundësojë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës kryerjen e pagesave ndërkufitare në euro në mënyrë më të shpejtë, më të lehtë dhe me kosto më të ulët.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, përfitimet nga pjesëmarrja në këtë skemë mund të arrijnë në mbi 55 milionë euro kursime në vit.