
Njëzet e gjashtë breshka të një specieje shumë të rrallë janë sekuestruar në bagazhin e një udhëtari në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, ka njoftuar një agjenci qeveritare holandeze.
Autoriteti Holandez për Sigurinë e Produkteve Ushqimore dhe të Konsumatorit (NVWA) bëri të ditur se një burrë, i cili po udhëtonte nga Meksika drejt Hong Kongut, me transit në Amsterdam, është arrestuar të shtunën pasi breshkat u zbuluan nga zyrtarët doganorë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas BBC, bëhet fjalë për breshkat e llojit Vallarta mud turtle, të cilat konsiderohen ndër breshkat më të vogla të ujërave të ëmbla në botë, me gjatësi maksimale prej rreth 10 centimetrash. Ato ishin mbështjellë me shirit ngjitës për të mos lejuar lëvizjen e tyre.
Sipas NVWA-së, dyshohet se breshkat janë marrë në mënyrë të paligjshme nga natyra, në habitatin e tyre në Meksikë.
Shumica e tyre u gjetën në një kuti së bashku me një veturë lodër, ndërsa të tjerat ishin fshehur në një çorape të mbyllur brenda valixhes.
I dyshuari vazhdon të mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Ndërkohë, breshkat po marrin përkujdesje në një qendër të specializuar për mbrojtjen e kafshëve, njoftoi NVWA.