Kauzës që kanë i dhanë zë nga e mërkura e 28 tetorit e vazhduan edhe këtë të shtunë.
Edhe sot, dhjetëra qytetarë iu bashkuan protestës pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Fjalët e të ndjerës që mbetën gjurmë në secilin institucion që dështoi ta mbronte jehuan rrugëve të kryeqytetit.
Nga Katedralja prej ku nisi ky marsh, ndalesa e parë qe Ministria e Drejtesisë.
“Nuk na duhet një shtet që na vajton, na duhet një shtet që nuk na le të vritemi dhe sot nga ky marsh po i drejtohemi secilit institucion, secilit zyrtarë e secilës zyrë, kërkesat tona janë të qarta, nuk janë metafora nuk janë slogane janë kërkesa konkrete”.
Nga këtu drejtësi e llogari për Arlindën e gratë e vrara ndër vite u kërkua edhe tek stacioni i Policisë së Kosovës.
Institucioneve iu drejtua edhe Drilon Cokli, para syve të të cilit iu vra motra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj më 2024.
“Dhimbja e një familje që humb dikë të dashur nuk përfundon në ditën e varrimit, ajo vazhdon çdo ditë në çdo kujtim dhe në çdo mungesë. Nuk dua që emërat e Eronës e Arlindës të mbesin thjesht një pjesë e lajmëve dhe numër i statistikave dua që ato të mos harrohen”, ka thënë Drilon Cokli, vëllau i Erona Coklit.
Në objektin e njëjtë, veçse në zyrat e Këshillit Gjyqësor u kërkuan shkarkime të menjëhereshme.
Në fund ekzekutivi e pati radhën.
“Kërkesat janë tri dhe janë të qarta më shumë investime sociale, më shumë investime në kapacitetet profesionale dhe llogaridhënie institucionale dhe mbikqyrje e përgjegjësi konkrete për këta profesionistë dhe këto institucione që nuk e përmbushin detyrimin për mbrojtjen e grave”.
Protesta përfundoi, veçse u paralajmëruan edhe te tjera, derisa kërkesat e tyre të përmbushën e të meren masa ndaj zyrtarëve të institucioneve që dështuan ta mbrojnë tashmë të ndjerën, Arlinda Zekajn.
Burimi: Dukagjini
