
Një person është arrestuar në Ferizaj, pasi dyshohet se kishte ekspozuar një pistoletë dhe kishte kanosur një grua.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 20:00. Burri dyshohet se kishte përdorur armën për ta kanosur viktimën, transmeton Klankosova.tv.
Pas rastit, i dyshuari dyshohet se ia kishte lënë pistoletën një personi tjetër. Ky i fundit e ka dorëzuar vetë armën në polici, së bashku me një fishek.
Me vendim të prokurorit, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje, ndërsa personi tjetër është liruar dhe rasti ndaj tij do të vazhdojë në procedurë të rregullt.