
Ish-diplomati Blerim Canaj, në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ka kritikuar mënyrën se si Kosova e ka trajtuar politikën e jashtme dhe procesin e integrimit evropian.
Canaj ka thënë se bota dhe zhvillimet gjeopolitike kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë katër vjetëve të fundit, prandaj, sipas tij, Kosova duhet t’i përshtatë qasjet e saj me realitetet e reja ndërkombëtare.
Ai ka vlerësuar se politika e jashtme është përdorur kryesisht për qëllime të konsumit të brendshëm, ndërsa nuk ka pasur angazhim të mjaftueshëm serioz në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
“Ne duhet ta kemi parasysh që po jetojmë në një botë, në një gjeopolitikë krejt ndryshe nga ajo para katër vjetësh. Mendoj që edhe në këtë kontekst duhet të provojmë që t’i shohim gjërat, pasi kanë ndryshuar edhe interesat e shteteve dhe kanë ndryshuar edhe gjeneratat e strukturave politike në shtetet, madje edhe në shtetet tona mike.
Ne edhe politikën e jashtme, fatkeqësisht, e kemi përdorur për konsum të brendshëm, por nuk kemi tentuar sinqerisht, po flas për qeverinë, nuk e kemi pasur seriozisht edhe këtë rrugëtimin tonë deri më tani apo së paku gjatë këtyre viteve në drejtim të BE-së.
E dimë që aplikimi është bërë, mirëpo çka është bërë pastaj pas aplikimit? Kemi pasur edhe sanksione nga BE-ja. Kjo flet edhe për faktin që ne, si duket, e kemi neglizhuar edhe atë që është kryesore në politikën e jashtme, e që është aktivizimi i diplomacisë”, ka deklaruar Canaj, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të jetë më aktive në diplomaci dhe se, sipas tij, përveç aplikimit për anëtarësim në BE, nuk është bërë një angazhim i mjaftueshëm për ta shtyrë përpara këtë proces.
“Duhet të jemi aktivë, pasi nuk kemi pasur ndonjë aktor kompetent që është marrë seriozisht me këtë çështje, përpos që e kanë bërë aplikimin dhe kanë ardhur këtu dhe kanë thënë: ‘Ne aplikuam’. Kryesisht ka qenë fillim përpjekja që të shfrytëzohet apo konsumohet për çështje të brendshme, por jo që ka qenë edhe aplikim serioz”, ka thënë Canaj në “Info Magazine”./Klankosova.tv