Category: Lajme

  • Obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët është katërfishuar që nga viti 1990, prek 170 milionë prej tyre – thotë OBSH

    Obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët është katërfishuar që nga viti 1990, prek 170 milionë prej tyre – thotë OBSH

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5-19 vjeç është katërfishuar në nivel global që nga viti 1990, pasi në vitin 2024 rreth 170 milionë prej tyre jetonin me këtë sëmundje kronike.

    Sipas OBSH-së, prevalenca në këtë grupmoshë u rrit nga 2 për qind në vitin 1990 në 8 për qind në vitin 2024. Nga të prekurit, 70 milionë ishin fëmijë të moshës 5-9 vjeç dhe 100 milionë adoleshentë të moshës 10-19 vjeç.

    Shifrat u publikuan pasi OBSH-ja nxori udhëzimet e para për trajtimin e obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët, duke rekomanduar ndërhyrje të strukturuara të fokusuara në ushqyerje, aktivitet fizik dhe ndryshime të sjelljes.

    Agjencia tha se ilaçet për humbje peshe, kirurgjia bariatrike dhe pajisjet për humbje peshe nuk duhet të përdoren për trajtimin e fëmijëve të moshës 0-9 vjeç.

    Për adoleshentët e moshës 10-19 vjeç, ilaçet e miratuara “mund të merren në konsideratë” vetëm kur një program i mbikëqyrur dhe shumëdimensional për ndryshimin e stilit të jetesës nuk ka arritur rezultatet e dëshiruara, ndërsa kirurgjia bariatrike mund të merret në konsideratë në kushte të rrepta për rastet e obezitetit të rëndë.

    OBSH-ja paralajmëroi se obeziteti mund të rrisë që në moshë të hershme rrezikun e sëmundjeve, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.

    Ajo theksoi gjithashtu pasojat e obezitetit në shëndetin mendor, përfshirë stigmatizimin, bullizmin, ankthin, depresionin dhe vetëvlerësimin e ulët, duke bërë thirrje që problemet e shëndetit fizik dhe mendor të trajtohen së bashku.

    “Baza e trajtimit të obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët nuk janë ilaçet apo kirurgjia, por qasja në mbështetje gjithëpërfshirëse që mundëson ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik dhe ndryshim të qëndrueshëm të sjelljes”, tha Dr. Luz Maria De Regil, drejtoreshë e Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore në OBSH.

    Ajo theksoi se prioriteti duhet të jetë që çdo fëmijë dhe adoleshent të ketë qasje në “kujdes cilësor dhe mjedise mbështetëse që në moshë të hershme, duke i ndihmuar të arrijnë dhe të ruajnë një peshë të shëndetshme dhe duke hedhur bazat për shëndet dhe mirëqenie gjatë gjithë jetës”.

    OBSH-ja theksoi se trajtimi i obezitetit duhet të shkojë përtej humbjes së peshës, duke u fokusuar në shëndetin e përgjithshëm, funksionimin dhe mirëqenien, përmes kujdesit afatgjatë dhe të përshtatur sipas moshës për fëmijët dhe familjet e tyre.

    Ajo paralajmëroi gjithashtu se vetëm trajtimi nuk mund të përmbysë rritjen e normave të obezitetit, duke bërë thirrje për masa që e bëjnë ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik më të qasshëm dhe më të përballueshëm. /AA/

  • Prokuroria jep detaje të reja për ndalimin e një prokurori në Manastir

    Prokuroria jep detaje të reja për ndalimin e një prokurori në Manastir

    Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nisi procedurë kundër një prokurori të lartë publik në Prokurorinë Themelore Publike të Manastirit, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ai ka kryer vepër penale “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm” sipas nenit 359, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal, thuhet në njoftimin e PTHP-së.

    “Në periudhën e kaluar, përmes disa veprimeve dhe zbatimit të masave të posaçme hetimore, janë siguruar prova që tregojnë për dyshim të arsyeshëm se ai ka përdorur ndikimin e tij real dhe pozicionin zyrtar që mbante për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në vendimmarrjen e kolegëve prokurorë publikë dhe gjyqtarë në të paktën 4 raste individuale, në fushën në të cilën ai kryente funksionin e tij.

    Duke vepruar kështu, ai kërkoi dënime më të ulëta ose për të siguruar një pozicion më të favorshëm për të dyshuarit ose të pandehurit në procedurat penale. Gjatë ditës së djeshme, bazuar në një urdhër gjykate, u kryen bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe në ambientet e Prokurorisë Themelore Publike të Manastirit me qëllim sigurimin e provave shtesë.

    Prokurori publik kompetent vazhdon hetimin e rastit dhe i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për përcaktimin e masave paraprake – konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të caktuara pune, përkatësisht largimin e të dyshuarit nga vendi i tij i punës”, thonë nga PTHP./Telegrafi/

  • Përgatitni rollatën perfekte me kokos pa pjekje - një ëmbëlsirë e shijshme për vetëm 20 minuta

    Përgatitni rollatën perfekte me kokos pa pjekje – një ëmbëlsirë e shijshme për vetëm 20 minuta

    Nëse po kërkoni një recetë të thjeshtë për tortë që nuk kërkon pjekje, roleja me kokos mund të jetë një zgjedhje e mirë.

    Përveçse përgatitet pa furrë, kjo tortë nuk kërkon shumë përbërës ose kohë.

    Baza e çokollatës dhe mbushja kremoze me kokos i japin një pamje dhe shije të veçantë, ndërsa roleja mund të përgatitet paraprakisht dhe të ruhet në frigorifer.

    Foto ilustruese

    Përbërësit për pjesën e errët:

    – 200 g biskota të vogla të bluara

    – 2 lugë gjelle pluhur kakaoje

    – 100 g sheqer pluhur

    – 1 sheqer vanilje

    – 100 ml qumësht i ngrohtë

    – 100 g gjalpë

    – 1 lugë gjelle rum, sipas dëshirës

    Përbërësit për pjesën e bardhë:

    – 150 g kokos

    – 100 g sheqer pluhur

    – 100 g gjalpë në temperaturë ambienti

    – 3 lugë gjelle qumësht

    Përgatitja:

    Në një tas të madh, përzieni së bashku biskotat e shtypura, kakaon, sheqerin pluhur dhe sheqerin e vaniljes.

    Shtoni gjalpin e zbutur dhe qumështin e ngrohtë dhe përzieni mirë derisa të përftoni një përzierje kompakte.

    Shtoni një lugë gjelle rum nëse dëshironi.Vendoseni përzierjen në letër pjekjeje dhe hapeni në një drejtkëndësh me trashësi rreth gjysmë centimetri.

    Për ta bërë më të lehtë formësimin, mund ta mbuloni me një fletë tjetër letre pjekjeje dhe ta hapni në mënyrë të barabartë.

    Për të përgatitur mbushjen me kokos, përzieni kokosin, sheqerin pluhur dhe gjalpin në temperaturë ambienti.

    Shtoni qumështin dhe përzieni derisa të përftoni një përzierje kremoze që mund të lyhet me ujë.

    Shpërndajeni kremin e kokosit në mënyrë të barabartë mbi bazën e errët.

    Pastaj, duke përdorur letër pjekjeje, rrotullojeni me kujdes përzierjen për të krijuar një rrotull të ngushtë.

    Mbështilleni me qese plastike dhe vendoseni në frigorifer për të paktën një orë që të ngurtësohet.

    Pasi të ftohet, priteni në feta dhe shërbejeni. /Telegrafi/

  • Shala: “PDK-ja mbrëmë ia dorëzoi partinë Kurtit, e varrosi të gjallë Hashim Thaçin”

    Shala: “PDK-ja mbrëmë ia dorëzoi partinë Kurtit, e varrosi të gjallë Hashim Thaçin”

    Shala: “PDK-ja mbrëmë ia dorëzoi partinë Kurtit, e varrosi të gjallë Hashim Thaçin”

    Analisti politik Azdren Shala ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike të Kosovës për qëndrimin e saj gjatë ditës së 6 tetorit.

    Në emisionin “Ora Shtatë”, Shala tha se ajo që, sipas tij, i ka ndodhur PDK-së është e paparë në historinë politike të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Nënshtrimi i PDK-së që i ka ndodhur mbrëmë, është i paparë në historinë e Kosovës. LDK ka gabuar në proces, por doli më e pastër prej procesit, këta mbrëmë me duar të veta ia dorëzuan partinë Albin Kurtit”, deklaroi Shala.

    Ai e akuzoi PDK-në se, sipas tij, po i shërben forcimit të pushtetit të kryeministrit, Albin Kurti, duke e lidhur këtë edhe me kauzën për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

    “Asistenti kryesor për me shtri autoritarizmin Kurti, edhe me vdek kauza e djemve, që kjo më dhemb më së shumti mua, është PDK-ja”, tha ai në Klan Kosova.

    Shala ngriti pikëpyetje edhe rreth ligjit për Specialen, duke kërkuar garanci se miratimi i tij do të ndikojë në kthimin në Kosovë të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

    “Ne nuk jemi duke folur për elefantin në dhomë. Le të dalë dikush, le të më garantojë mua që me këtë ligj kemi me i pru djemtë në Kosovë. Kush garanton në Kosovë që ne me këtë ligj, i biem djemtë të pafajshëm këtu? Nëse del dikush ma garanton, unë kërkoj falje publike”, u shpreh Shala.

    Ai iu drejtua edhe një herë PDK-së për qëndrimin e saj, duke përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

    “Prapë po iu them, urime. E keni varrosë të gjallë Hashim Thaçin. Bravo”, deklaroi Shala.

  • Zgjedhja e presidentes dhe miratimi i Ligjit, Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në dhe shtetin

    Zgjedhja e presidentes dhe miratimi i Ligjit, Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në dhe shtetin

    Zgjedhja e presidentes dhe miratimi i Ligjit, Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në dhe shtetin

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimeve të marra mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar ato si një kthesë të rëndësishme për vendin.

    Çitaku ka thënë se, sipas saj, Kuvendi me dy vendime ka nderuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, institucionin dhe shtetin e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Sot, Kosova ka një ligj që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një Presidente të re, Justina Pula-Shirokën një zonjë të dashur e të nderuar, me të cilën na lidhin shumë vite bashkëpunimi dhe miqësie”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo ka vlerësuar gjithashtu se në procesin e vendimmarrjes ka pasur ndikim edhe zëri i qytetarëve.

    “Mbrëmë fitoi edhe zëri i qytetarëve. Zëri që nuk u ndal dhe që u bë obligim për institucionet”, ka deklaruar ajo.

    Çitaku ka bërë thirrje për unitet rreth historisë së UÇK-së dhe ka theksuar nevojën që angazhimi institucional të vazhdojë në mbështetje të procesit gjyqësor në apel.

    “Kjo është një kthesë e rëndësishme, e shumëpritur dhe e nevojshme. Tani, angazhimi ynë duhet të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e shtetit, në mbështetje të betejës për drejtësi në apel”, ka shkruar ajo.

    Në reagimin e saj, Çitaku e ka lidhur këtë zhvillim edhe me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

    “Kjo fitore e shtetit të Kosovës u dedikohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush”, ka shkruar Çitaku.

    “Urime, Kosovë! Me UÇK-në në zemër!”

  • Zemaj: Për VV-në mund të jetë i pranueshëm presidenti që vjen nga PDK, por jo nga LDK

    Zemaj: Për VV-në mund të jetë i pranueshëm presidenti që vjen nga PDK, por jo nga LDK

    Zemaj: Për VV-në mund të jetë i pranueshëm presidenti që vjen nga PDK, por jo nga LDK

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, duke e cilësuar procesin si një periudhë të gjatë debatesh, pritjesh dhe kalkulimesh politike.

    Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se procesi i djeshëm në Kuvend ka nxjerrë në pah, sipas tij, dy të vërteta politike, transmeton klankosova.tv.

    “Për VV-në mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja. Vetëm nga LDK kërkohej konsensual?”, ka shkruar Zemaj.

    Ai ka ngritur kritika edhe për votimin e Vetëvendosjes për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Sipas Zemajt, ky votim nënkupton pranimin në praktikë të ekzistencës dhe juridiksionit të Gjykatës Speciale në Hagë.

    “Këto nuk janë më vetëm debate politike as ndarje ideologjike, por janë veprime e votime të regjistruara në Kuvend”, ka deklaruar ai.

    Zemaj ka vlerësuar se zhvillimet e djeshme shënojnë fundin e asaj që ai e quan “ping-pong politik” mes VV-së dhe PDK-së.

    “Votat treguan shumë më tepër se fjalët”, ka deklaruar Zemaj.

  • Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë drejtpërdrejt zgjedhjen e Presidentes

    Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë drejtpërdrejt zgjedhjen e Presidentes

    Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë drejtpërdrejt zgjedhjen e Presidentes

    Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar lidhur me mundësinë e kontestimit të vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes, pasi avokati Arianit Koci ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese procedurën për zgjedhjen e shefes së shtetit.

    Cakolli ka thënë se e vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit është një grup prej së paku dhjetë deputetësh, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas tij, kërkesa duhet të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit, ndërsa pas kalimit të këtij afati kjo mundësi kontestimi mbyllet.

    “E vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit”, ka shkruar Cakolli.

    Ai ka sqaruar gjithashtu se dërgimi i një njoftimi në Gjykatën Kushtetuese nuk prodhon, në vetvete, efekt pezullues ndaj zgjedhjes së Presidentes.

    Sipas Cakollit, edhe në rast se pretendohet se Kuvendi ka shkelur një aktgjykim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, duhet të vlerësohet nëse janë përmbushur kushtet që mund të çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.

    “Gjykata mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimit të vet. Por kjo kompetencë opsionale nuk përbën, vetvetiu, rrethanë të sigurt që Gjykata merr autorizim për ta anuluar një vendim të ri të Kuvendit duke anashkaluar kushtet e nenit 113.5”, ka deklaruar ai.

  • Detaje të reja nga incidenti mes dy gardianëve nga Kosova dhe një të burgosuri në Danimarkë

    Detaje të reja nga incidenti mes dy gardianëve nga Kosova dhe një të burgosuri në Danimarkë

    Detaje të reja nga incidenti mes dy gardianëve nga Kosova dhe një të burgosuri në Danimarkë

    Skena dramatike janë zhvilluar të mërkurën në mëngjes para burgut Vestre në Kopenhagë, ku janë parë forca të shumta policore, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe një grup i madh personash të veshur me të zeza.

    Prania e madhe e policisë është shënuar në të njëjtën kohë kur në burg ka nisur një seancë paraprake, ku janë paraqitur dy zyrtarë të burgut, raporton “Presse-fotos.dk”, transmeton Klankosova.tv.

    Bëhet fjalë për dy zyrtarë të burgut nga Kosova, të cilët akuzohen se kanë sulmuar një të burgosur derisa ishin në detyrë në Vestre në Kopenhagë.

    Lajmi është raportuar nga “DR News”.

    Të mërkurën në mëngjes, dy zyrtarët janë paraqitur në një seancë për masën e paraburgimit, ku akuzat u janë lexuar para gjykatës.

    Policia e Kopenhagës e ka konfirmuar akuzën edhe për agjencinë “Ritzau”.

    Sipas policisë, dy zyrtarët akuzohen se më 5 tetor, në një qeli në Departamentin Jugor të Burgut Vestre, së bashku dhe në bashkërendim me njëri-tjetrin, kanë goditur disa herë me grushte një të burgosur.

    Akuzat janë ngritur në bazë të dispozitës për dhunë të lehtë, neni 244.

    Sipas aktakuzës, njëri prej zyrtarëve e ka shtyrë të burgosurin në shtrat brenda qelisë dhe më pas e ka goditur një herë me grusht në fytyrë.

    Më pas, zyrtari tjetër e ka goditur disa herë të burgosurin me grushte në fytyrë dhe në trup.

    Sipas “DR News”, të dy zyrtarët e burgut i mohojnë akuzat.

    Zyrtarët e burgut nga Kosova ndodhen aktualisht në Danimarkë për trajnim, në kuadër të përgatitjeve për punën me të burgosurit e ardhshëm në burgun e Gjilanit, të cilin Danimarka e merr me qira në Kosovë, raporton DR.

    Ata do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor në Danimarkë, për t’u njohur me kushtet dhe praktikat daneze lidhur me trajtimin e të burgosurve. /Klankosova.tv

  • Cakolli: E vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar vendimin e Kuvendit për presidenten janë së paku 10 deputetë

    Cakolli: E vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar vendimin e Kuvendit për presidenten janë së paku 10 deputetë

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se e vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit.

    Cakolli thekson se dërgimi i një “njoftimi” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, asnjë efekt pezullues mbi zgjedhjen.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    E vetmja palë e autorizuar pë ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit. Nëse brenda këtij afati nuk parashtrohet kërkesë, kjo rrugë e kontestimit mbyllet.

    Dërgimi i një “njoftimi” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, asnjë efekt pezullues mbi zgjedhjen. Edhe nëse pretendohet që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin, duhet të përcaktohet nëse është përmbushur kushti për shpërndarjen e Kuvendit.

    Gjykata mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimit të vet. Por kjo kompetencë opsionale nuk përbën, vetvetiu, rrethanë të sigurtë që Gjykata merr autorizim për ta anuluar një vendim të ri të Kuvendit duke anashkaluar kushtet e nenit 113.5. /Telegrafi/

  • Asllani e Hysaj mes yjeve të mëdhenj– pjesë e formacionit më të mirë të xhiros në Ligën e Kombeve

    Asllani e Hysaj mes yjeve të mëdhenj– pjesë e formacionit më të mirë të xhiros në Ligën e Kombeve

    Kristjan Asllani dhe Elseid Hysaj janë përfshirë në formacionin më të mirë të raundit të katërt të Ligës së Kombeve sipas vlerësimeve të Sofascore, duke u renditur përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror.

    Dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë janë pjesë e një formacioni ku gjenden edhe Harry Kane, Michael Olise, Desire Doue, duke i dhënë një tjetër vlerë paraqitjeve të kuqezinjve në këtë xhiro të Ligës së Kombeve.

    Vëmendjen kryesore e merr padyshim Kristjan Asllani, i cili është vlerësuar me notën maksimale 10 nga Sofascore.

    Mesfushori ishte heroi i Shqipërisë në fitoren 2-1 ndaj San Marinos, duke shënuar të dy golat e takimit.

    Asllani e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 11-të me një goditje spektakolare nga distanca, ndërsa në minutat shtesë realizoi edhe nga pika e bardhë për t’i dhënë Shqipërisë tri pikët.

    Kjo paraqitje e bëri atë një nga futbollistët më të spikatur të gjithë xhiros së katërt. Madje, Sofascore e kishte vlerësuar Asllanin edhe me 8.5 në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen hapëse të Shqipërisë, ku ai gjithashtu shënoi.

    Krahas Asllanit, në formacionin më të mirë është përfshirë edhe Elseid Hysaj, i cili ka marrë vlerësimin 7.9 nga Sofascore.

    Mbrojtësi i djathtë ishte titullar në sfidën ndaj San Marinos dhe e kompletoi ndeshjen e tij pa u zëvendësuar.

    Për Hysajn, kjo vjen pas një tjetër paraqitjeje të mirë në ndeshjen e parë të këtij cikli, ndaj Bjellorusisë, ku ai ishte titullar dhe kontribuoi edhe me një asistim për golin e Ernest Muçit në fitoren 2-0./Telegrafi/