
Një telefonatë prej vetëm 15 sekondash, e realizuar 20 minuta pas sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, ishte një nga elementet mbi të cilat Prokuroria e Pejës kishte ngritur dyshime për përfshirjen e vëllezërve Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj në vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021, ku mbetën të vdekur Gani Gjokaj dhe dy nxënësit, Ledion Hamza e Genta Mustafa.
Prokuroria dyshonte se përmes kësaj telefonate dy vëllezërit mund të ishin koordinuar pas sulmit, ndërsa një mesazh tjetër, i shkëmbyer më vonë, ishte fshirë dhe nuk ishte arritur të rikthehej gjatë ekspertimit të telefonave.
Megjithatë, në aktgjykimin prej 170 faqesh, të siguruar nga Klan Kosova, gjykata ka shpjeguar pse këto komunikime nuk u konsideruan prova të mjaftueshme për të dëshmuar përfshirjen e tyre në krim.
Sipas vendimit, Kastrioti dhe Kreshniku kishin komunikuar për 15 sekonda në orën 19:22, ndërsa në orën 21:14 kishin shkëmbyer edhe një SMS. Mesazhi ishte fshirë dhe, pas ekspertimit të telefonave, nuk ishte arritur të rikthehej, pasi, sipas ekspertit, nuk ishte ruajtur as në memorien e telefonit dhe as në kartelën SIM.
Prokuroria kishte ngritur dyshimin se përmbajtja e këtyre komunikimeve mund të ishte inkriminuese dhe se telefonata mund të ishte përdorur për koordinimin e veprimeve pas sulmit.
“Në lidhje me faktin se a kanë qenë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik në shtëpi në kohën kur është sulmuar autobusi apo kanë dalë dhe kanë qenë këta që e kanë sulmuar autobusin, gjykata ka mundur të nxjerrë vetëm teorinë e lartpërshkruar, një teori objektive e gjasave, për të cilën nuk ka prova mbështetëse. Në anën tjetër, të pandehurit dhe dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja kanë qenë koherentë në pretendimin se të njëjtit kanë qenë në shtëpi në kohën kritike, e mbi këtë bazë, gjykata gjen se nuk është vërtetuar fakti se të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik kanë qenë në vendin e krimit në kohën kritike.
Një çështje tjetër e ngritur si teori nga ana e prokurorisë është se të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik kanë komunikuar në telefon pas kohës kur është sulmuar autobusi, përkatësisht kanë folur për 15 sekonda në orën 19:22 dhe kanë shkëmbyer një SMS në orën 21:14, i cili SMS pas ekspertimit të telefonave rezulton të jetë fshirë dhe ka qenë e pamundur të kthehet, pasi që sipas ekspertit nuk është ruajtur as në memorie të telefonit e as të SIM kartelës, e që sipas prokurorisë ky komunikim dhe SMS mund të kishte përmbajtje inkriminuese.”
Dy të akuzuarit, megjithatë, kishin dhënë një version tjetër, raporton Klankosova.tv
Për telefonatën, Kreshniku kishte deklaruar se e kishte thirrur Kastriotin për ta pyetur nëse i nevojitej ujë për pastrimin e makinës që përdorej për mjeljen e lopëve. Ndërsa për mesazhin, kishin thënë se kishin komunikuar lidhur me ardhjen e nipit të tyre, Agim Dodaj.
“Të pandehurit i kanë dhënë qëndrimet e tyre sa i përket këtyre komunikimeve, e ku në lidhje me thirrjen telefonike deklarojnë se Kreshniku e ka thirrur Kastriotin, duke i thënë se “a të duhet uji për pastrimin e makinës për mjeljen e lopëve”, ndërsa në lidhje me SMS-in deklarojnë se kanë komunikuar për ardhjen e nipit të tyre, Agim Dodaj. Mirëpo, gjykata gjen se ky sqarim i të pandehurve është i paqëndrueshëm nëse shikohet në raport me deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve, përkatësisht në Polici, kur e kanë mohuar se të njëjtit kanë komunikuar në telefon, ndërsa në shqyrtim gjyqësor e kanë pranuar një gjë të tillë dhe i kanë dhënë shpjegimet si më lart.”
Gjykata e vlerësoi këtë pjesë të deklarimeve të tyre si të paqëndrueshme, pasi në fazën e hetimeve, përkatësisht në Polici, të dy kishin mohuar se kishin komunikuar mes vete. Ndërsa gjatë shqyrtimit gjyqësor e kishin pranuar komunikimin dhe kishin dhënë shpjegimet e tyre.
Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se kjo mospërputhje nuk mjaftonte për të vërtetuar se komunikimi kishte përmbajtje inkriminuese.
Në arsyetimin e tij, ai theksoi se telefonata ishte realizuar 20 minuta pas sulmit, por përmbajtja e saj nuk dihej dhe nuk kishte prova të tjera që do ta rrëzonin alibinë e të akuzuarve.
“Gjykata e vlerësoi me vëmendje faktin se telefonata prej 15 sekondash, ka ndodhur 20 minuta pas rastit kur është sulmuar autobusi, e cila sipas prokurorisë ka pasur qëllim koordinimin pas sulmit, mirëpo meqenëse nuk dihet përmbajtja e kësaj telefonate e as nuk ka ndonjë provë tjetër që e rrëzon alibinë e të pandehurve, ekzistimi i kësaj telefonate nuk mund të përdoret për vërtetimin e ndonjë fakti inkriminues”, thuhet në aktgjykim, transmeton Klankosova.tv
Gjykata ka vënë përballë pretendimet e prokurorisë dhe versionin e mbrojtjes. E para, sipas saj, e kishte mbështetur dyshimin në mundësinë që komunikimi të kishte përmbajtje inkriminuese, ndërsa mbrojtja kishte pretenduar se bëhej fjalë për çështje të zakonshme familjare.
Në mungesë të provave që do të dëshmonin se telefonata dhe mesazhi kishin për qëllim koordinimin pas kryerjes së veprës penale, gjykata konstatoi se kjo çështje mbeti e pavërtetuar dhe vetëm hipotezë.
“Në këtë situatë e kemi pretendimin e Prokurorisë, i cili është i bazuar vetëm mbi supozimin se komunikimi i tyre mund të ketë pasur përmbajtje inkriminuese dhe në anën tjetër kemi teorinë jokohezive të mbrojtjes, sipas të cilës komunikimi i të pandehurve Kreshnik dhe Kastriot ka qenë i lidhur me çështje të zakonshme dhe familjare.
Duke qenë se nuk kemi ndonjë provë mbështetëse, e cila vërteton se komunikimi i të pandehurve Kastriot dhe Kreshnik kishte përmbajtje inkriminuese apo kishte qëllim koordinimin pas kryerjes së veprës penale, për gjykatën mbetet fakt i pavërtetuar dhe vetëm hipotezë, e cila nuk mund të përdoret në dëm të të pandehurve”, thuhet në aktgjykim.
Ku ndodheshin vëllezërit Mehmetaj në kohën e sulmit?
Përveç komunikimeve telefonike, një tjetër çështje e trajtuar gjerësisht në aktgjykim është vendndodhja e Kastriotit dhe Kreshnikut në natën kritike.
Prokuroria kishte ngritur mundësinë që dy vëllezërit të mos kishin qenë në shtëpi në kohën e sulmit, por të kishin dalë dhe të kishin kryer vrasjen e trefishtë.
Një nga rrethanat e paraqitura në këtë drejtim ishte koha kur një dëshmitar, i cili kishte qëndruar i fundit me vëllezërit Mehmetaj, ishte larguar nga shtëpia e tyre. Sipas aktgjykimit, dëshmitari ishte larguar 48 minuta para sulmit ndaj autobusit.
Prokuroria kishte pretenduar se brenda kësaj kohe dy vëllezërit kishin pasur mundësi të udhëtonin deri në vendin ku u sulmua autobusi dhe të kryenin aktin.
Por, gjykata vlerësoi se mundësia kohore dhe gjeografike për të qenë në vendin e ngjarjes nuk përbënte dëshmi se ata kishin vepruar kështu.
Në anën tjetër, sipas gjykatës, të akuzuarit dhe dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja kishin qenë koherentë në deklarimet se Kastrioti dhe Kreshniku ndodheshin në shtëpi në kohën kritike.
Për këtë arsye, gjyqtari konstatoi se pretendimi i prokurorisë mbeti vetëm teori, pa prova konkrete që do ta mbështesnin.
“Në lidhje me faktin se a kanë qenë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik në shtëpi në kohën kur është sulmuar autobusi apo kanë dalë dhe kanë qenë këta që e kanë sulmuar autobusin, gjykata ka mundur të nxjerrë vetëm teorinë e lartpërshkruar, një teori objektive e gjasave, për të cilën nuk ka prova mbështetëse. Në anën tjetër, të pandehurit dhe dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja, kanë qenë koherentë në pretendimin se të njëjtit kanë qenë në shtëpi në kohën kritike, e mbi këtë bazë, gjykata gjen se nuk është vërtetuar fakti se të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik kanë qenë në vendin e krimit në kohën kritike”, thuhet në aktgjykim.
As pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat prokuroria i kishte dorëzuar si prova, nuk u vlerësuan të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e aktakuzës.
“Nuk u vërtetua as motivi i vrasjes”
Në aktgjykim trajtohet edhe çështja e motivit të mundshëm të ngjarjes. Gjykata ka marrë parasysh rrethanat që, sipas prokurorisë, mund të krijonin një motiv për hakmarrje, por ka konstatuar se Prokuroria e Pejës nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme për ta dëshmuar këtë.
Në përfundim të vlerësimit të provave, gjyqtari iu referua edhe parimit juridik ‘In Dubio Pro Reo’, sipas të cilit dyshimet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen penale interpretohen në favor të të pandehurit.
“Gjykata thotë se nga faktet e parashtruara, duke marrë parasysh edhe kontradiktat në deklarimet e të pandehurve, faktin e ekzistimit të rrethanave të cilat mund të vlerësohen si bazë e rritjes së një motivi për hakmarrje, si dhe duke marrë parasysh parimin In Dubio Pro Reo, ku thuhet se mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penal interpretohen në favor të të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas Kodit dhe Kushtetutës së Kosovës, kjo gjykatë erdhi në përfundim se nuk është vërtetuar se të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik e kanë kryer veprën penale Vrasja e rëndë, si dhe nuk u vërtetua se i pandehuri Halil Mehmetaj e ka kryer veprën penale Shtytje në vrasje të rëndë, dhe nuk u vërtetua se Kastriot Mehmetaj e ka kryer veprën penale të Armëmbajtjes pa leje”, thuhet në aktgjykim.
Halili dhe Kreshniku u dënuan për armëmbajtje pa leje
Pavarësisht lirimit nga akuzat që ndërlidheshin me vrasjen e trefishtë, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktgjykimit, në pronësi të Halilit ishin gjetur dhe sekuestruar 154 fishekë të kallashnikovit, një karikator, fishekë të tjerë dhe gjashtë pajisje ushtarake. Ndërsa te Kreshniku ishin gjetur dy fishekë të armës së tipit AK-47.
Për këtë vepër penale, Halil Mehmetaj u dënua me tri vjet burgim, ku në dënim iu llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërsa Kreshnik Mehmetaj u dënua me një vit burgim.
Kështu, aktgjykimi e liroi treshen Mehmetaj nga përgjegjësia penale për vrasjen e rëndë në Gllogjan, por shpalli fajtorë babanë dhe njërin prej djemve për armëmbajtje pa leje. /Klankosova.tv