
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), u mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave për 18 operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët përfunduan me sukses trajnimin njëmujor “Avancimi i njohurive bazike në mjekësinë emergjente”.
Trajnimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), me qëllim të avancimit të njohurive dhe shkathtësive praktike të pjesëtarëve policorë për ofrimin e ndihmës së parë mjekësore në terren dhe reagimin fillestar në situata emergjente, transmeton Klankosova.tv.
Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit fituan njohuri dhe përvojë praktike për përballimin e situatave të ndryshme emergjente shëndetësore, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative, reagimin e shpejtë dhe efektiv, si dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndikimin e tij në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit policor.
Me këtë rast, Kolonel Taibe Canolli dhe Kolonel Mentor Shabani, në emër të Policisë së Kosovës, vlerësuan kontributin e SHSKUK-së dhe në veçanti të Klinikës Emergjente për përkushtimin dhe mbështetjen profesionale në realizimin e këtij trajnimi.
Ata theksuan se bashkëpunimi i tillë është i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përgatitjen e pjesëtarëve policorë për reagim efektiv në situata emergjente.
Policia e Kosovës dhe SHSKUK riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes aktiviteteve të përbashkëta që kontribuojnë në shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të zyrtarëve policorë, me qëllim të rritjes së efektivitetit operacional dhe mbrojtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve.