Çfarë thonë kritikët e videolojërave për GTA 6?

Çfarë thonë kritikët e videolojërave për GTA 6?

Written by

in

Vetëm një lajm ka rëndësi sot në botën e teknologjisë: loja GTA 6 më në fund ka mbërritur.

Lojtarët tashmë mund të eksplorojnë pa kufizime rrugët e Leonidas, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ndërsa GTA 6 duket se i ka përmbushur pritshmëritë – të paktën sipas përshtypjeve të para të ekspertëve nga disa prej faqeve më të mëdha të specializuara në botë.

Luke Reilly nga faqja IGN e përshkruan GTA 6 si një lojë me detaje të jashtëzakonshme dhe mundësi të pakufizuara për eksperimente.

“E thënë thjesht, GTA 6 është videoloja më mbresëlënëse që kam luajtur ndonjëherë”, shkruan ai në recensionin e tij, shkruan theguardian.

Disa kritikë, si David Lumb nga CNET, vlerësojnë thellësinë e rrëfimit në GTA 6. Loja ka marrë gjithashtu shumë vlerësime për ndjesinë e realizmit dhe empatinë që lojtarët krijojnë ndaj personazheve kryesore, siç thekson Keza MacDonald nga The Guardian.

Vlerësime të tjera për personazhet kryesore, Jason dhe Lucia, vijnë nga Yusuf Cole i The New York Times, i cili thotë se “arti i ndërthurur në lojë shfaqet më së miri përmes çiftit të ngjashëm me Bonnie dhe Clyde”.

Edhe Zijing Wang nga Retcon Magazine vlerëson dy personazhet, duke shkruar se marrëdhënia e tyre shërben si motori emocional i historisë, ndërsa magjia e vërtetë ndodh kur kjo marrëdhënie përplaset me botën e lojës.

“Kjo është videoloja më e madhe dhe më e shtrenjtë që ka ekzistuar ndonjëherë. Kënaqësia nuk vjen vetëm nga grabitjet dhe vrasja e policëve, por edhe nga vetëdija se jetoni në një vend ku këto janë thjesht rregullat e lojës”, shkruan Giovanni Colantonio nga Polygon.

Përmbledhjen e recensioneve e përfundon The Verge, përmes kritikut të saj, Annie Webster, e cila vlerëson se pas 13 vjetësh, GTA 5 ka marrë një pasardhës të denjë, që vendos standarde të reja për videolojërat me botë të hapur.

Informacionet kryesore për GTA 6

Ngjarja e lojës zhvillohet në shtetin imagjinar amerikan Leonida, të frymëzuar nga Florida, ndërsa vendin qendror e zë qyteti Vice City, i modeluar sipas Majamit.

Loja sjell edhe një risi të rëndësishme për serinë, pasi për herë të parë në një ambient tredimensional lojtarët mund të kontrollojnë një personazh kryesor femër. Bëhet fjalë për Lucian, e cila së bashku me partnerin e saj, Jasonin, përfshihet në aktivitete kriminale dhe aventura të ndryshme.

Sipas vlerësimeve të analistëve, zhvillimi i lojës ka kushtuar më shumë se një miliard dollarë, duke e renditur atë ndër projektet më të shtrenjta në historinë e industrisë së videolojërave.

Publikimi fillimisht ishte planifikuar për vjeshtën e vitit 2025, por u shty dy herë: fillimisht për maj të vitit 2026 dhe më pas për nëntor të po këtij viti.

Paraardhësi i saj, GTA 5, është shitur në rreth 235 milionë kopje dhe mbetet një nga videolojërat më të shitura në histori.

Kompania Rockstar Games kishte realizuar një miliard dollarë të ardhura nga shitja e saj vetëm gjatë tri ditëve të para pas publikimit. /Telegrafi/