Christy McCormick propozohet për ambasadore të SHBA-së në Maqedoni

Christy McCormick propozohet për ambasadore të SHBA-së në Maqedoni

Written by

in

Christy McCormick nga Kalifornia është propozuar për postin e ambasadores së jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo duhet të kalojë për miratim në Senat deri në fund të dhjetorit. McCormick është një juriste amerikane me përvojë shumëvjeçare në administratën federale, në mbrojtjen e të drejtave të votimit, organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Gjatë karrierës së saj ka mbajtur pozita të rëndësishme në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Komisionin Amerikan për Asistencë Zgjedhore dhe Ambasadën e SHBA-së në Irak.

Më 16 dhjetor 2014, McCormick u konfirmua me pëlqim unanim nga Senati amerikan, pas nominimit të saj nga presidenti i atëhershëm Barack Obama, për të shërbyer në Komisionin Amerikan për Asistencë Zgjedhore (Election Assistance Commission – EAC). Gjatë angazhimit në këtë institucion, ajo ka ushtruar dy herë funksionin e kryetares së Komisionit, ndërsa sipas biografisë së saj zyrtare, mban edhe përgjegjësinë e zyrtares federale të caktuar për Komitetin për Zhvillimin e Udhëzimeve Teknike.

McCormick ka udhëhequr procesin e ristrukturimit të Komisionit pas disa vitesh gjatë të cilave institucioni kishte funksionuar pa komisionerë. Ajo ka organizuar samitin e parë për të dhënat zgjedhore, si dhe samitin e parë kushtuar qasjes së barabartë në zgjedhje, me fokus të veçantë te çështjet gjuhësore. Në kuadër të punës së saj, ka zhvilluar takime me votues dhe ligjvënës në mbarë Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka vëzhguar procese zgjedhore pothuajse në të gjitha shtetet amerikane.

Një pjesë e rëndësishme e karrierës së McCormick lidhet me angazhimin e saj në Irak. Gjatë viteve 2009–2010, me vendim të zëvendësprokurorit të përgjithshëm amerikan, ajo u angazhua në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad si këshilltare e lartë juridike dhe ushtruese e detyrës së zëvendëskoordinatores për sundimin e ligjit. Në këtë periudhë, McCormick ka shërbyer si eksperte amerikane për zgjedhjet, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor kombëtar në Irak, përfshirë edhe një rinumërim të gjerë të votave. Gjithashtu, ka marrë pjesë në iniciativa të shumta amerikane dhe të forcave të koalicionit ndërkombëtar për forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve juridike në Irak.

Nga viti 2006 deri në emërimin e saj në Komisionin Amerikan për Asistencë Zgjedhore, McCormick ka punuar si avokate e lartë në Departamentin amerikan të Drejtësisë, përkatësisht në Seksionin për të Drejtat e Votimit, pranë Divizionit për të Drejtat Civile. Në këtë pozitë, ajo është marrë me ndjekjen juridike të shkeljeve të dispozitave federale që ndalojnë diskriminimin në proceset zgjedhore. Përvoja e saj përfshin trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat kushtetuese, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave civile.

Përpara angazhimit në Departamentin e Drejtësisë, McCormick ka shërbyer si bashkëpunëtore juridike e gjyqtares Elizabeth A. McClanahan në Gjykatën e Apelit të Virxhinias, nga viti 2003 deri në vitin 2006. Nga viti 2001 deri në vitin 2003, ajo ka qenë ndihmësprokurore e përgjithshme dhe asistente e përfaqësuesit kryesor juridik të shtetit në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Virxhinias.

Gjatë kësaj periudhe ka qenë pjesë e ekipeve juridike që kanë përfaqësuar shtetin në Gjykatën Supreme të SHBA-së, përfshirë çështjet Black v. Virginia dhe Hicks v. Virginia, të cilat kanë trajtuar dispozita penale dhe sfida kushtetuese që lidhen me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane. Ajo ka punuar gjithashtu në çështje të shqyrtuara nga Gjykata Federale e Apelit për Qarkun e Katërt. Karrierën e saj juridike e ka filluar si bashkëpunëtore e gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut të Shtatë Gjyqësor të Virxhinias, ku ka punuar nga viti 1999 deri në vitin 2001.

Profili profesional i McCormick karakterizohet nga përvoja në fushën e zgjedhjeve, mbrojtjes së të drejtave civile, zbatimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike. Angazhimi i saj në Irak dhe përvoja në institucionet federale amerikane përbëjnë pjesë të rëndësishme të karrierës së saj përpara propozimit për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shkup. (koha.mk)