
Ushtruesja e Detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se tashmë kanë pranuar iniciativën e re për Dhomat e Specializuara dhe për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë, dhe e njëjta shpejti do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Çitaku, në një konferencë për media, ka thënë se qëllimi i kësaj iniciative mbetet i pandryshuar dhe se nënshkrimet për të tashmë janë mbledhur.
“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertët juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit. Qëllimi i kësaj iniciative mbetet i pandryshuar. Të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit”, shtoi ajo.
Po ashtu, Çitaku njoftoi se Grupi Strategjik dje ka miratuar Strategjinë shtetërore për mbrojtjen e çlirimtarëve në Apel.
“Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces. Më lejoni që sot ta vë theksin te uniteti politik dhe institucional që kemi arritur. Uniteti për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për mbrojtjen e historisë sonë dhe të luftës së popullit tonë për liri. Por, njëkohësisht, edhe për mbrojtjen e së tashmes dhe të së ardhmes së Republikës sonë”, theksoi ajo.
Ajo tha se në lidhje me këtë do të takoj drejtuesit e të gjitha partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile, akademikë, ekspertë juridikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere perëndimore, që ky të jetë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe juridikisht i qëndrueshëm.
“Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. E katërta, por jo më pak e rëndësishme, e mirëpres gatishmërinë e shprehur nga Bashkimi Evropian për t’u konsultuar me ne në këtë proces. Sot, publikisht, e ftoj Bashkimin Evropian që t’i fillojmë këto konsultime pa humbur asnjë ditë. Ne jemi gati, qysh nga sot. Kosova e ka përmbushur pjesën e saj të përgjegjësisë. Mirëpo, sipas vlerësimit tonë, pritshmëritë për një proces gjyqësor të drejtë, të barabartë dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane nuk janë përmbushur. Jemi të gatshëm të ulemi me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Të diskutojmë për secilin shqetësim konkret, për secilën dispozitë ligjore dhe për secilin rekomandim juridik”, tha Çitaku.
Sipas Çitakut tani uniteti në angazhimin për mbrojtjen e çlirimtarëve do të shndërrohet në vendime, veprime dhe rezultate konkrete.
“Përpara kemi ende shumë punë. Nuk pretendojmë se me këta hapa përfundon beteja jonë. Por është e rëndësishme të thuhet se sot kemi një strategji shtetërore të miratuar. Kemi një iniciativë të re ligjore. Kemi unitet politik dhe institucional. Kemi edhe gatishmërinë të shprehur nga ana e BE-së për konsultime”, theksoi ajo.