
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se nuk ka dallime me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket përmbajtjes së Ligjit për Specialen, por vetëm për procedurën e miratimit të tij.
Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja është në diskutime intensive me VV-në dhe subjektet e tjera politike në Kuvend, duke shprehur bindjen se përmes dialogut do të arrihet një marrëveshje për procedurën dhe ligji do të miratohet.
Ajo ka theksuar se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga kjo nismë, duke rikujtuar se ligji tashmë është në procedurë të rregullt parlamentare.
“Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën.
Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi.
Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku.
E pyetur për takimet me përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe qëndrimin e kësaj partie, Çitaku ka bërë të ditur se deri më tani janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të VV-së.
Ajo ka përsëritur se mes dy subjekteve nuk ka mospajtime për përmbajtjen e ligjit dhe se dallimet lidhen vetëm me procedurën.
“Siç e thashë, kemi pasur jo një, por disa takime me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë lloj dallimi për përmbajtjen e ligjit. Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri.
Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, sikurse jemi të vetëdijshëm që miratimi i këtij ligji nuk e përmbush detyrimin që kemi si institucione për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Janë edhe një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës, me koordinimin që po bëhet brenda grupit strategjik, do të ndërmarrin në mënyrë që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës”, u shpreh ajo për EO.
Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit britanik për respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, Çitaku ka thënë se iniciativa e PDK-së dhe ligji i miratuar më herët në Kuvend nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë.
Ndërkaq, lidhur me qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila gjatë votimit në Kuvend kishte shprehur kundërshtime ndaj ligjit, Çitaku ka thënë se qëndrimi i kësaj partie kishte qenë i ndarë.
Megjithatë, ajo ka vlerësuar mbështetjen e LDK-së për deklaratën politike dhe pjesëmarrjen e saj në grupin strategjik.
Burimi: Insajderi