
Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Çitaku, e cila është edhe anëtare e këtij grupi, ka vlerësuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare dhe shtetërore për rëndësinë e kësaj çështjeje.
Sipas saj, në përputhje me Deklaratën e Kuvendit të 28 shtatorit, gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Qëllimi ynë është që çlirimtarët tanë ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se, krahas hartimit të strategjisë, po vazhdon edhe angazhimi për ligjin që synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Duke theksuar se “UÇK-ja na bashkon”, Çitaku ka vlerësuar se mbrojtja e së vërtetës së luftës çlirimtare, e vlerave dhe e trashëgimisë së UÇK-së është përgjegjësi që tejkalon dallimet partiake.
Ajo ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët në kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë, të cilin e ka cilësuar të padrejtë, si dhe për sigurimin e të gjitha mjeteve dhe garancive juridike për çlirimtarët gjatë procesit të apelit.
“Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali