
Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj. Ajo ka kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje nga personat përgjegjës për mbrojtjen e viktimës.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se rasti i Arlindës dëshmon pasojat e rënda që mund të ketë dështimi i institucioneve për të mbrojtur gratë në rrezik, transmeton Klankosova.tv.
Çitaku thotë nse Arlinda është gruaja e tetë e vrarë këtë vit, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë institucionale dhe masat e ndërmarra për parandalimin e rasteve të tilla.
“Konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete, me mbrojtje reale për gratë në rrezik dhe me përgjegjësi për ata që dështojnë t’i mbrojnë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kërkuar që të shqyrtohet roli dhe veprimet e secilit zyrtar apo institucion që kishte përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës, duke insistuar që përgjegjësia të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash.
“Nuk mjaftojnë më deklaratat e ngushëllimit. Nuk mjaftojnë zotimet se do të bëhet më shumë. Duhet të dimë çfarë ndodhi, kush nuk e kreu detyrën dhe çfarë pasojash do të ketë”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Çitaku ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi konkrete nga institucionet.
“Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional”.