Blerim Isufaj, i shkarkuar nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, ka hedhur dyshime se vendimi për shkarkimin e tij ishte i përgatitur para se të votohej në KPK.
Në ankesën drejtuar në Gjykatën Supreme, e të cilën e ka siguruar televizioni Dukagjini, Isufaj kërkon që ky vendim të hidhet poshtë e të kthehet sërish në pozitën e udhëheqësit të kësaj Prokurorie.
“Arsyetimi i një vendimi kolegjial duhet të jetë pasqyrë e diskutimit dhe bindjes që formohet në takim. Kur arsyetimi ekziston para votimit, diskutimi shndërrohet në ratifikim formal të një teksti të përgatitur, argumentet e anëtarëve që mund të kishin mendim tjetër nuk kanë asnjë mundësi të pasqyrohen dhe çdo argument i mundshëm i ankuesit është i pavlerë që në nisje.”
Në vendimin e KPK-së, për shkarkimin e tij thuhej se Isufaj kishte keqmenaxhuar me Prokurorinë e kishte pasur tendenca për ndikim në raste që ishin në hetim.
“Pohimi se ndarja manuale ka krijuar rrezik që kryeprokurori të “ndikojë drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimit” mbetet abstrakt. Vendimi nuk pretendon as nuk identifikon asnjë lëndë të vetme në të cilën ndarja manuale është përdorur për të ndikuar në hetim. Rreziku abstrakt nuk është sjellje e vërtetuar.”
Ankesës së tij, Isufaj i ka bashkëngjitur edhe vendimin e Supremes me të cilin e kishte anuluar vendimin e KPK-së, për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit.
Ndërkohë që në disa faqe ka listuar rastet më të rëndësishme e më të ndërlikuara që janë trajtuar nga prokurorët e PSRK-së, duke përfshirë edhe rastet e spiunazhit por edhe atë të 23 intelektualëve të zhdukur, që u gjetën së fundmi në një varrezë masive në veri e rastin e rezervave shtetërore.
“Në mesin e rasteve me rëndësi të veçantë përfshihen rastet që ndërlidhen me lagjen Jasharaj, rasti i njohur si SKY ECC, si dhe raste të tjera të rëndësishme që kanë kërkuar angazhim të shtuar profesional dhe institucional. Trajtimi i këtyre lëndëve dëshmon rëndësinë e kapaciteteve të specializuara të PS-së në adresimin e formave të rënda dhe komplekse të kriminalitetit, përfshirë krimet e luftës dhe kriminalitetin e organizuar.”
Duke vlerësuar se i është mohuar e drejta për tu dëgjuar nga Këshilli, ka propozuar që gjykata të mbajë seancë publike dëgjimore në të cilën do fliste Isufaj.
Aktualisht lënda gjendet në trajtim në Supreme, e Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet që brenda 15 ditësh t’i përgjigjet kësaj ankese, e më pas të merret vendimi.
Blerim Isufaj, i cili nuk u dekretua nga Presidentja për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, që nga viti 2019 ishte udhëheqës i Prokurorisë Speciale.
Burimi: Dukagjini
