Çmimet e ulëta vështirësuan mbulimin e kostove të prodhimit|VIDEO

Çmimet e ulëta vështirësuan mbulimin e kostove të prodhimit|VIDEO

Written by

in

Pavarësisht sfidave me të cilat u përballën gjatë këtij viti, vreshtarët në Rahovec e kanë përmbyllur sezonin me rendiment dhe cilësi të mirë të rrushit. Megjithatë, ky rezultat nuk është shoqëruar me kënaqësi për prodhuesit, të cilët thonë se çmimet e ulëta të shitjes ua kanë vështirësuar dukshëm mbulimin e shpenzimeve të prodhimit.

“Sezoni ka qenë i mbarë, prodhim ka pasur të mirë, edhe pse kushtet klimatike sivjet nuk kanë qenë edhe aq të favorshme për kulturat bujqësore. Megjithatë, kemi pasur prodhim të mirë dhe cilësia ka qenë e mirë. Çmimet këtë vit kanë qenë shumë të ulëta. Gati që vetëm ata që e duan këtë punë kanë vazhduar, sepse, përndryshe, nuk ia ka vlejtur. Çmimet kanë qenë jashtëzakonisht të ulëta, fuqia punëtore ka qenë shumë në mungesë dhe pagesat për një punëtor kanë qenë shumë të larta”, tha për RTK, Nysret Shala, vreshtar.

Krahas vështirësive ekonomike, vreshtarët janë përballur edhe me dëme të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe sëmundjet e hardhisë. Vreshtari Nysret Shala thotë se një nga dëmet më të mëdha është shkaktuar nga sëmundja e hirit të rrushit.

“Më së shumti kemi pasur probleme me temperaturat e larta dhe me sëmundjet. Njëra prej tyre ka qenë hiri i rrushit, i cili ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur në kohën kur rrushi veç e kishte arritur pjekjen teknologjike dhe kur duhej të nxirrej në treg. Pikërisht atëherë është paraqitur sëmundja, duke mos lejuar ndërhyrjen me preparate mbrojtëse”, tha ai.

Ndërkaq, sipas Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec, rendimenti i përgjithshëm këtë vit ka qenë i kënaqshëm, por sfidë mbetet çmimi i plasimit të produktit final në treg.

“Rendimenti ka qenë i mirë këtë vit. Përveç vërshimeve që kemi pasur në muajin korrik, ka pasur edhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar dëme nëpër vreshta. Megjithatë, në përgjithësi rendimenti ka qenë i mirë, por vreshtarët nuk janë të kënaqur me çmimin, përkatësisht me çmimin e shitjes së rrushit”, tha Behar Thaqi, drejtor i Bujqësisë në Rahovec

Dëmet e shkaktuara në disa vreshta nuk do të kenë pasoja vetëm në sezonin e sivjetmë. Sipas drejtorit të Bujqësisë, disa prej hardhive do të kenë nevojë për disa vite që të rikthehen në prodhim.

“Tash, në dy-tri vitet e ardhshme, ato nuk mund të prodhojnë, sepse duhet të fillohet nga fillimi. Ka hardhi të rrushit të cilat duhet të priten deri në fund dhe të fillohet mbjellja nga e para. Mund të shkojnë deri në pesë vjet derisa të hyjnë përsëri në prodhim, dhe kjo ua shkakton vështirësi vreshtarëve”, tha ai.

Komuna e Rahovecit ka rreth 2 mijë e 600 hektarë me vreshta.

Burimi: RTKLive