CR7 bëhet objekt kritikash në Arabinë Saudite: Është barrë për ekipin

CR7 bëhet objekt kritikash në Arabinë Saudite: Është barrë për ekipin

Written by

in

Sulmuesi portugez po përballet me pikëpyetje rreth ndikimit të tij në lojën e Al Nassrit, ndërsa synimi për të arritur shifrën historike prej 1.000 golash në karrierë po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi.

Në ndeshjen e fundit, Al Nassr pësoi humbje 3-1 ndaj Al Ahli. Ronaldo arriti të shënojë një gol, por gjithashtu dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke mos arritur ta ndihmojë skuadrën të shmangte humbjen.

Kritikat më të forta ndaj pesë herë fituesit të Topit të Artë erdhën nga ish-mbrojtësi saudit, Hussein Abdulghani, i cili vlerëson se Ronaldo nuk po kontribuon mjaftueshëm në lojën kolektive të ekipit.

“Problemin e Al Nassrit të gjithë e dinë, por askush nuk e sheh. E dimë se Ronaldo ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm, por pyetja është nëse ai është ende i dobishëm për skuadrën, sidomos në ndeshjet e mëdha”, deklaroi Abdulghani.

Ai theksoi se detyra e një sulmuesi nuk kufizohet vetëm te shënimi i golave, duke kritikuar kontributin e Ronaldos në fazat e tjera të lojës.

“Shënimi i golave nuk është detyra e vetme e një sulmuesi. Ai nuk mund të shënojë një gol dhe më pas të bëhet barrë për ekipin gjatë pjesës tjetër të ndeshjes. Ronaldo është lojtar i madh, por nuk mund të bëjë më dallimin”, u shpreh ish-futbollisti.

Abdulghani pati edhe një koment ironik për objektivin e portugezit për të arritur 1.000 gola në karrierë.

“Tifozët po luten që Ronaldo ta shënojë golin e tij të njëmijtë dhe që kjo çështje të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, përfundoi ai.

Ronaldo, i cili tashmë është 41-vjeçar, vazhdon të jetë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, por paraqitjet e tij në ndeshjet vendimtare po shkaktojnë gjithnjë e më shumë debat në Arabinë Saudite.

Burimi: RTKLive