Xhinset e gjera dhe atletet janë sërish ndër kombinimet më të dëshiruara. Aktorja e njohur tregon katër mënyra për t’i veshur me stil, nga përditshmëria deri te zyra
Dakota Johnson e ka dëshmuar vazhdimisht se eleganca nuk kërkon domosdoshmërisht veshje të shtrenjta apo kombinime të ndërlikuara. Aktorja njihet për stilin e saj të çlirët, ku rehatia dhe elementet klasike bashkohen natyrshëm.
Një nga kombinimet e saj të preferuara janë xhinset e gjera dhe atletet, dy pjesë të garderobës që karakterizuan modën e viteve 2000 dhe që sot janë rikthyer me një pamje më të rafinuar.
Dikur, xhinset baggy visheshin nga yje si Britney Spears dhe Jennifer Lopez, shpesh me bluza të shkurtra dhe xhaketa me gëzof artificial. Sot, ato kombinohen me pulovra të thjeshta, pallto klasike dhe xhaketa të strukturuara, duke krijuar një stil që duket njëkohësisht modern dhe elegant.
Xhinse të gjera, atlete të sheshta dhe pulovër
Për një pamje të përditshme, Dakota zgjedh xhinse të gjera, një pulovër të ngrohtë dhe atlete me shollë të hollë.
Modele si Adidas Samba ose Puma Speedcat janë veçanërisht të përshtatshme, sepse nuk krijojnë volum të tepërt në pjesën e poshtme të veshjes.
Këtë kombinim mund ta plotësoni me një pallto të shkurtër, xhaketë lëkure ose shall të gjatë prej leshi. Rezultati është një veshje praktike, e rehatshme dhe me elegancë të natyrshme.
Getty Images
Atlete sportive me xhaketë klasike
Një tjetër mënyrë që Dakota përdor për t’u dhënë xhinseve të gjera pamje më elegante është kombinimi i tyre me xhaketë klasike.
Aktorja zgjedh një bluzë ose këmishë të bardhë, xhaketë me kuadrate dhe atlete sportive me shollë më të trashë.
Xhaketa i jep strukturë siluetës, ndërsa xhinset dhe atletet e mbajnë kombinimin larg formalitetit të tepërt.
Kjo është një zgjedhje e përshtatshme edhe për ambientet e punës ku nuk kërkohet një kod strikt veshjeje.
Atlete të bardha dhe pallto e errët
Një bluzë e thjeshtë e bardhë, xhinse të gjera dhe atlete klasike të bardha krijojnë bazën e një kombinimi që mund të ndryshohet lehtësisht me disa shtresa veshjesh.
Dakota e plotëson këtë pamje me një triko me kopsa ose një xhaketë-këmishë me ngjyrë, ndërsa sipër zgjedh një pallto të gjatë dhe të errët.
Pikërisht palltoja i jep kombinimit elegancën që e bën të duket më i kuruar.
Kështu, xhinset që dikur lidheshin kryesisht me stilin sportiv të viteve 2000, marrin një pamje bashkëkohore, të përshtatshme për shumë raste.
Getty Images
Atletet me ngjyra si detaji kryesor
Kur xhinset, bluza dhe xhaketa kanë nuanca neutrale, atletet mund të bëhen elementi më interesant i gjithë kombinimit.
Dakota preferon modele në ngjyrë të gjelbër, por të njëjtin efekt mund ta krijojnë edhe atletet e kuqe, blu ose bordo.
Rëndësi ka ruajtja e ekuilibrit. Xhinset e gjera kanë tashmë një siluetë të theksuar, prandaj pjesa tjetër e veshjes nuk ka nevojë të mbingarkohet me detaje.
Getty Images
Eleganca që nuk kërkon shumë përpjekje
Stili i Dakota Johnson dëshmon se rikthimi i modës së viteve 2000 nuk nënkupton kopjimin e plotë të tendencave të dikurshme.
Mjafton që pjesët e njohura të garderobës të kombinohen me elemente klasike dhe aksesorë të zgjedhur me kujdes.
Në fund, sekreti i këtij kombinimi qëndron te thjeshtësia: xhinse të rehatshme, atlete të përshtatshme dhe një pjesë klasike që i jep veshjes pamje elegante, pa u dukur sikur keni kaluar orë të tëra para pasqyrës. /Telegrafi/