Kosova ka shënuar përparim në disa fusha të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, por vazhdon të përballet me mangësi në ndjekjen penale të trafikantëve, identifikimin e viktimave dhe riintegrimin e tyre. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i cili e mban Kosovën në Nivelin 2.
Sipas raportit, Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato.
“Qeveria tregoi një rritje të përgjithshme të përpjekjeve në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit”, thuhet në raport, ku si zhvillime pozitive përmenden dënimi i më shumë trafikantëve, rritja e financimit për ndihmën ndaj viktimave dhe shtimi i mjeteve për aktivitetet parandaluese.
Megjithatë, DASH thekson se përparimi institucional nuk është shoqëruar me rezultate të mjaftueshme në të gjitha fushat, veçanërisht në zbatimin e ligjit dhe ofrimin e mbështetjes afatgjatë për viktimat.
Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës hetoi katër raste të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me pesë raste në vitin 2024.
Ndërkohë, autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave të dyshuar për trafikim, nga 49 sa ishin në vitin paraprak.
Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, krahasuar me një të dënuar në vitin 2024.
Megjithatë, raporti vë në pah se vetëm dy nga tre të dënuarit morën dënime me burgim efektiv: njëri u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 3.000 eurosh, ndërsa tjetri me tre vjet burgim. Personi i tretë u dënua me një vit provë.
Sipas DASH, dënimet nën minimumin e paraparë me ligj dobësojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe mund të krijojnë rreziqe për sigurinë e viktimave.
Raporti thekson gjithashtu se shumë prokurorë dhe gjyqtarë nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme për trajtimin e rasteve që përfshijnë kontroll emocional dhe shtrëngim psikologjik të viktimave. Kjo, sipas vëzhguesve të cituar në raport, mund të rezultojë në dënime të buta ose në rikualifikimin e veprave penale në kategori me dënime më të ulëta.
Një prej shqetësimeve të theksuara në raport është mënyra se si autoritetet i trajtojnë rastet e fëmijëve të detyruar të lypin nga prindërit e tyre.
Sipas DASH, Policia e Kosovës ka vazhduar t’i hetojë disa prej këtyre rasteve si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend se si trafikim me qenie njerëzore.
Raporti vëren se autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e lypjes së detyruar të fëmijëve si trafikim dhe se mungesa e procedurave të përshtatshme për identifikimin e viktimave mund të çojë në ndëshkimin e tyre për veprime të kundërligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit.
Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët që mund të detyrohen nga prindërit ose persona të tjerë të përfshihen në aktivitete shfrytëzuese.
Raporti nënvizon nevojën për identifikim më të mirë të viktimave të mundshme dhe për mbrojtjen e tyre nga ndëshkimi për veprime të kryera nën ndikimin ose detyrimin e trafikantëve.
Gjatë vitit 2025, institucionet identifikuan 13 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me 14 në vitin 2024. Të 13 viktimat e identifikuara, sipas raportit, ishin shfrytëzuar për qëllime të trafikimit seksual. Dy prej tyre ishin gra, ndërsa 11 ishin vajza. Asnjëra nuk ishte shtetase e huaj.
“Qeveria ofroi strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime juridike dhe ndihmë për riatdhesim, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile. Sipas raportit, 18 viktima morën ndihmë përmes bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, ndërsa institucionet e specializuara të strehimit asistuan 10 viktima”, thuhet në raport.
Raporti vlerëson se procedurat e referimit të viktimave funksionojnë mirë, por identifikimi i personave të shfrytëzuar përmes lypjes së detyruar mbetet i pamjaftueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
Përtej identifikimit dhe strehimit fillestar, raporti evidenton probleme në ofrimin e shërbimeve që do t’u mundësonin viktimave të rindërtonin jetën dhe të bëheshin financiarisht të pavarura.
“Programet e riintegrimit patën sukses të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve dhe mundësive të punësimit për viktimat, në mënyrë që ato të bëheshin financiarisht të pavarura”, thuhet në raport.
Sipas vlerësimit, Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime për fëmijët viktima dhe veprojnë si kujdestare të tyre ligjore, por përballen me mungesë të stafit dhe kapaciteteve për t’i përmbushur të gjitha përgjegjësitë.
Vështirësi janë raportuar edhe në ofrimin e shërbimeve për viktimat e ritrafikuara, personat që kanë nevojë për terapi të përshkruar nga psikiatrit dhe ata që kërkojnë mbështetje afatgjatë psikosociale.
Këto mangësi tregojnë se mbrojtja e viktimave nuk përfundon me identifikimin apo vendosjen në strehimore, por kërkon shërbime të vazhdueshme, mbështetje profesionale dhe mundësi konkrete për riintegrim.
Në fushën e parandalimit, raporti evidenton rritje të financimit qeveritar. Për aktivitetet parandaluese, qeveria ndau 15.000 euro gjatë vitit 2025, krahasuar me 3.550 euro në vitin 2024.
Institucionet organizuan aktivitete ndërgjegjësuese për grupet e cenueshme, mbajtën në funksion linjën telefonike kundër trafikimit dhe ndërmorën masa për të ulur kërkesën për shërbime seksuale komerciale të lidhura me shfrytëzimin e viktimave.
Qeveria gjithashtu vazhdoi rregullimin e veprimtarisë së rekrutuesve të punëtorëve dhe inspektimet e rregullta në vendet e punës.
Megjithatë, raporti vëren se nuk është raportuar trajnim i posaçëm për inspektorët e punës lidhur me identifikimin e trafikimit me qenie njerëzore, apo referim i rasteve të mundshme të trafikimit nga inspektorati te organet e zbatimit të ligjit.
Sa i përket zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për periudhën 2024–2025, raporti thekson se vlerësimi i qeverisë evidentoi objektiva të përmbushur, të tjera në proces dhe disa që nuk ishin zbatuar.
Sipas profilit të trafikimit të paraqitur në raport, gratë dhe vajzat rekrutohen përmes premtimeve mashtruese për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, për t’u shfrytëzuar seksualisht në shtëpi private, apartamente, klube nate dhe sallone masazhi.
Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar.
Raporti thekson se ‘viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë edhe gra dhe vajza nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera. Po ashtu, në Kosovë janë shfrytëzuar viktima të huaja nga Shqipëria, Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela’.
Shtetasit e Kosovës, ndërkaq, u nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar edhe në vende të tjera të Evropës.
Burimi: RTKLive
