Daut Haradinaj u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë “Koalicionin Shqiptar”

Daut Haradinaj u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë “Koalicionin Shqiptar”

Written by

in

Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që në zgjedhjet e së dielës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17, për të siguruar përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë.

Përmes një postimi, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Të dashur vëllezër e motra shqiptarë në Luginën e Preshevës, ju ftoj që këtë të diel ta shfrytëzoni shansin historik për përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë, për të ngritur zërin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje për unitet në procesin zgjedhor, duke rikujtuar se shqiptarët janë bashkuar në një listë të përbashkët.

“Jeni bashkuar në një listë të përbashkët dhe të bashkuar duhet të jeni edhe në vendvotime”, ka theksuar ai.

Në fund, Haradinaj u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.