Mesfushori belg, i cili tashmë është pjesë e Napolit, do të rikthehet të martën në stadiumin “Etihad”, ku do të përballet me ish-skuadrën e tij në kuadër të Ligës së Kampionëve.
De Bruyne kaloi dhjetë sezone te Manchester City, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e klubit. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi gjashtë tituj të Premierligës dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, sukseset e klubit janë vënë në pikëpyetje pas vendimit që e shpalli fajtor për më shumë se 100 shkelje të pretenduara të rregullave financiare të Premierligës, për periudhën 2009-2018. City ka apeluar vendimin, ndërsa në rast se ai mbetet në fuqi, klubi mund të përballet me sanksione të rënda.
Pavarësisht kësaj situate, De Bruyne ka bërë të qartë se marrëdhënia e tij me drejtuesit e klubit nuk ka ndryshuar.
“Jam krenar për atë që kam arritur si futbollist dhe, sinqerisht, ky është klubi im. I dua pronarët”, deklaroi belgu.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte biseduar me presidentin e klubit, Khaldoon Al Mubarak, edhe për mundësinë e blerjes së një klubi futbolli.
“Kam vetëm dashuri për këtë klub dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Për dhjetë vjet, ata më kanë trajtuar mua dhe familjen time në mënyrë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
De Bruyne u shpreh se nuk ndihet i shqetësuar për mundësinë që akuzat ndaj Cityt të ndikojnë në vlerësimin e karrierës dhe trofeve të fituar.
“Unë kam luajtur brenda vijave të bardha. Kam konkurruar me futbollistë të tjerë dhe kam përjetuar shumë gjëra me skuadrat dhe bashkëlojtarët e mi. Këto janë gjërat që i vlerësoj më së shumti”, theksoi ai.
Ndërkohë, Napoli ndodhet në një situatë të vështirë në Ligën e Kampionëve, pasi ka pësuar tri humbje në katër ndeshjet e para dhe renditet në vendin e 27-të me vetëm 36 skuadra pjesëmarrëse.
Në anën tjetër, Manchester City ka regjistruar tri fitore në katër ndeshjet e para dhe aktualisht është në mesin e tetë skuadrave që sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales.
Burimi: RTKLive
