
Një debat për enët e palara në kuzhinë ka përfunduar në një ngjarje të rëndë dhune në Romë të Italisë, ku një 50-vjeçare është arrestuar nën dyshimin për tentativë vrasjeje ndaj partnerit të saj.
Gruaja dyshohet se e ka sulmuar brutalisht partnerin me një ngrohëse elektrike dhe më pas është përpjekur ta mbysë me kabllon e pajisjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, në banesën e çiftit, në lagjen Tufello të Romës. Pas alarmit të dhënë nga fqinjët, karabinierët kanë ndërhyrë në banesë, ku e kanë gjetur 50-vjeçaren sipër partnerit të saj, i cili ishte i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja.
Policia ka neutralizuar menjëherë gruan, e cila vazhdonte ta ofendonte partnerin edhe gjatë ndërhyrjes së efektivëve.
I dëmtuari është transportuar për trajtim në poliklinikën “Umberto I”, ndërsa para hetuesve ka treguar se gjithçka nisi pas një debati për enët e palara në lavaman.
“Ajo filloi të më shtynte dhe që në atë moment fillova të shqetësohesha. I thashë se do t’i laja unë enët, por ajo nuk u ndal më. Në fund humba ndjenjat”, ka rrëfyer ai.
Si pasojë e sulmit, burri ka pësuar frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, lëndime në kokë dhe hematoma në pjesë të ndryshme të trupit. Ai ka marrë lëndime edhe në duar, teksa është përpjekur të mbrohej nga sulmi.
Pas arrestimit, 50-vjeçarja është dërguar fillimisht në një strukturë shëndetësore për vlerësimin e gjendjes së saj psikofizike dhe më pas është transferuar në burgun e Rebibbias.
Ndërkohë, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që gruaja të ketë qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali