
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka pritur sot në selinë e KFOR-it, në kampin “Film City” në Prishtinë, një delegacion të Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Gjatë takimit, Vergori e ka njoftuar delegacionin për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet që po zhvillon misioni dhe prioritetet kryesore të tij.
Ai ka rikonfirmuar përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Në njoftimin e KFOR-it, theksohet se misioni do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij.
“KFOR-i do të vazhdojë të jetë garant i qëndrueshëm i stabilitetit, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i e përmbush këtë rol në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet përkatëse të tyre si reagues të sigurisë”, njofton KFOR.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali