Deliu Kodra: Secili që kishte përgjegjësi ndaj Arlinda Zekajt, duhet të japë llogari

Deliu Kodra: Secili që kishte përgjegjësi ndaj Arlinda Zekajt, duhet të japë llogari

Written by

in

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka reaguar pas publikimit të një video-incizimi ku dëgjohet Arlinda Zekaj, e cila u vra nga kunati i saj në Pejë, duke biseduar me një zyrtar policor në stacionin policor të këtij qyteti.

Në video, polici dëgjohet duke i thënë Zekajt se nuk është i obliguar të merret me të.

Deliu Kodra ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, gratë trajtohen nga persona që mbajnë pozita dhe përgjegjësi institucionale.

“Nuk të trondit vetëm polici që i thotë Arlindës se nuk është i obligum me u marrë me të. Të trondit profesori që nuk ‘merret me femra’. Të trondit kryeshefi që përdor gjuhë poshtëruese ndaj një gruaje. Sepse aty e kupton që kjo përbuzje ka gjetë vend gjithkund. Ka marrë tituj, ka veshë uniformë, ka marrë poste dhe pushtet”, ka shkruar ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, gratë përballen fillimisht me vështirësi për t’u dëgjuar dhe për t’u trajtuar me dinjitet, përpara se të marrin mbrojtjen që u takon.

Ajo e ka cilësuar dëshpëruese faktin që gratë ende duhet të kërkojnë atë që e ka quajtur minimum njerëzor.

“Arlinda e kërkoi ndihmën sa ishte gjallë. Sot secili që kishte përgjegjësi ndaj saj duhet me dhanë llogari”, ka deklaruar Deliu Kodra.

Burimi: Dukagjini