Demokratët paralajmërojnë hetime ndaj shefit të ri të kabinetit të Trumpit: Të marrë një avokat

Demokratët paralajmërojnë hetime ndaj shefit të ri të kabinetit të Trumpit: Të marrë një avokat

Written by

in

Demokratët në Kongresin amerikan kanë paralajmëruar hetime ndaj Stephen Millerit, i cili pritet të marrë detyrën e shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, duke e paralajmëruar që të angazhojë një avokat.

Robert Garcia, demokrati më i lartë në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën e Qeverisë, deklaroi se partia e tij synon të hetojë politikat e imigracionit të Millerit, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe më besnikë të presidentit Donald Trump.

“Stephen Miller le të marrë një avokat”, tha Garcia, shkruan newyorkpost.

Edhe Hakeem Jeffries, i cili pritet të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve, e cilësoi Millerin si një “ekstremist të pamatur”.

Emërimi i tij shihet si sinjal se Trumpi nuk ka ndërmend të zbusë qëndrimet e administratës, veçanërisht sa i përket imigracionit. Përkundrazi, presidenti amerikan duket se po u beson edhe më shumë bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, në një kohë kur demokratët kanë fituar kontrollin e të dy dhomave të Kongresit.

Milleri, 41 vjeç, është një prej arkitektëve kryesorë të politikave të ashpra kundër imigracionit. Ai ka mbështetur objektivin për 3000 arrestime në ditë nga autoritetet e imigracionit, ndërsa gjatë administratës Trump ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në riorganizimin e institucioneve federale.

Politikat e tij kanë nxitur kritika të shumta, pasi në mesin e të arrestuarve kanë qenë edhe persona pa precedentë penalë, të cilët kanë jetuar në SHBA për dekada.

Sipas një sondazhi të Reutersit dhe Ipsosit, 54 për qind e amerikanëve kundërshtojnë politikat e tilla të imigracionit, ndërsa 36 për qind i mbështesin ato.

Milleri ka mbështetur gjithashtu veprimet ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Iranit, si dhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor.

Ndërkohë, largimi i Susie Wiles nga pozita e shefes së kabinetit shënon një tjetër ndryshim në rrethin e ngushtë të Trumpit. Ajo ishte gruaja e parë që mbajti këtë detyrë në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/