
Komisioni Hetimor Parlamentar në rastin e Arlinda Zekajt, po interviston Albulena Muja Bajraktarin, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Por, gjatë seancës, përveç pyetjeve drejtuar Bajraktarit, pati edhe debat mes anëtarëve të komisionit.
Përplasja nisi pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, përfundoi pyetjet e tij për drejtoreshën.
Ai u kundërshtua nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, e cila e kritikoi për mënyrën e formulimit të pyetjeve dhe kërkoi që ato të jenë në përputhje me kompetencat ligjore të personit që po intervistohet.
“ Nuk jam kundër çfarëdo pyetjeje që bëni, por të paktën t’i njohim ligjet e Kosovës dhe t’i bëjmë pyetjet në përputhje me ligjet. Nuk kemi për ta nxjerrë thelbin e dëshmisë nëse bëjmë pyetje për çështje që nuk janë në kompetencën e personave që kemi përpara. Mirë është t’i njohim ligjet”, deklaroi Kica Xhelili.
Në këtë diskutim u përfshi edhe deputetja Adelina Tërshani, e cila kundërshtoi qëndrimin e Doarsa Kica Xhelilit.
Intervistimi i Bajraktarit po vazhdon. /Klankosova.tv