Një espresso në Zvicër mund të kushtojë deri në 6 franga, ndërsa dallimet në çmime janë të mëdha nga një rajon në tjetrin.
Sipas një studimi të kompanisë këshilluese Deloitte, të publikuar nga mediumi zviceran Watson, Cyrihu prin me çmimet më të larta, ndërsa kantoni i Tiçinos rezulton rajoni më i lirë për këtë pije.
Studimi është realizuar përmes një ankete me 580 kafeteri në të gjitha rajonet e Zvicrës, ndërsa të dhënat tregojnë se një espreso kushton mesatarisht 4.67 franga në Cyrih, 4.40 franga në Bazel dhe 4.31 franga në Bernë. Në Lozanë mesatarja është 3.91 franga, ndërsa në Gjenevë 3.84 franga.
Dallimet vërehen edhe brenda të njëjtit qytet, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Në Cyrih, çmimi më i lartë i regjistruar për një espresso arrin në 6 franga, ndërsa më i ulëti është 3.60 franga.
Në Bazel çmimet variojnë nga 3.70 deri në 5.60 franga, ndërsa në Bernë nga 3 deri në 5 franga.
Sa u përket rajoneve gjuhësore, në Zvicrën gjermanishtfolëse një espresso kushton mesatarisht 4.40 franga, në pjesën frankofone 3.85 franga, ndërsa në Tiçino vetëm 2.55 franga.
Sipas Deloitte, një nga arsyet kryesore për këto dallime janë kostot e ndryshme të qirave dhe pagave, si dhe ndikimi i çmimeve në vendet fqinje. Kështu, një espresso në zonat gjermane pranë kufirit kushton mesatarisht 2.47 franga, në Francë 1.85 franga, ndërsa në Itali vetëm 1.32 franga.
Studimi vë në pah gjithashtu rritjen e kafeterive të specializuara për kafe premium, veçanërisht në qytetet e mëdha zvicerane, ku konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë për cilësinë e kafesë dhe përvojën e shërbimit./Telegrafi/