Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka dështuar ta mbajë mbledhjen në të cilën ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Mbledhja nuk është mbajtur për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët 15 minuta para fillimit të saj kishin dërguar një email me kërkesë për shtyrjen e takimit.
Kryetari i këtij komisioni, Arben Mustafa, e ka konsideruar të papërgjegjshme dhe jo serioze kërkesën për shtyrjen e mbledhjes në një kohë kaq të shkurtër, duke theksuar se për raportim ishin ftuar edhe palë të tjera, ndërsa ishin njoftuar edhe mediat.
“Paskan dërguar një email 15 minuta para mbledhjes, me kërkesë për shtyrje. Po mendoj që është e papërgjegjshme të kërkohet 15 minuta para se të fillojë mbledhja që ajo të shtyhet. Për shkak se ne kemi ftuar edhe palët e treta që kanë pasur të raportojnë në komision, kemi njoftuar edhe mediat dhe mendoj që është jo serioze të kërkohet shtyrja e mbledhjes 15 minuta para se të fillojë. Për atë arsye, duket që nuk e kemi kuorumin për të zhvilluar mbledhjen”, ka thënë Mustafa.
Ai ka bërë të ditur se përveç raportimit të anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës, në rend dite ishte edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, i cili nuk ka arritur të trajtohet as në mbledhjen e kaluar për shkak të mungesës së përfaqësuesve të ministrisë.
Mustafa ka thënë se raportimi i anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës ishte paraparë edhe në mbledhjen e kaluar, por kryetarja e këtij institucioni, Naime Binaku-Isufi, fillimisht kishte konfirmuar pjesëmarrjen dhe më pas e kishte anuluar atë.
Sipas tij, për mbledhjen e sotme kishin konfirmuar pjesëmarrjen kryetarja Binaku-Isufi dhe dy anëtaret e tjera, Kaltrina Sela dhe Nafije Osdautaj.
Kryetari i komisionit ka shprehur shqetësime për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se në komision kanë pranuar disa shkresa dhe dëshmi nga anëtarë të këtij institucioni dhe punonjës të tij, të cilët kanë ngritur pretendime për parregullsi.
“Komisioni për Ekonomi ka pranuar një numër dokumentesh, shkresash dhe dëshmish që ngrenë shqetësime serioze për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës. Më konkretisht, më datë 16 tetor 2026 kemi pranuar një shkresë nga dy anëtare të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, zonja Kaltrina Sela dhe zonja Nafije Osdautaj, ku, sipas pretendimeve të tyre, u është pamundësuar ushtrimi i rolit të tyre në Komisionin e Konkurrencës, si dhe pretendohet për shkelje ligjore nga kryetarja e këtij autoriteti, zonja Naime Binaku-Isufi”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka shtuar se shkresa kanë pranuar edhe nga dy pjesëtarë të personelit të Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Shemsi Lezi dhe Gresa Latifi, të cilët, sipas tij, si sinjalizues kanë pretenduar për parregullsi të shumta në këtë institucion.
Ai ka theksuar se mosfunksionimi i këtij institucioni mund të ketë pasoja për ekonominë dhe qytetarët, pasi mund të krijojë hapësirë për marrëveshje të fshehta ndërmjet bizneseve dhe abuzim me pozitën dominuese.
“Mosfunksionimi adekuat i këtij institucioni mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe shtetin. Kur institucioni që duhet ta mbrojë konkurrencën nuk funksionon siç duhet, krijohet hapësirë për marrëveshje të fshehta ndërmjet bizneseve, abuzim me pozitën dominuese dhe praktika të tjera që kufizojnë konkurrencën. Në fund, pasojat i paguan qytetari përmes çmimeve më të larta”, ka thënë Mustafa.
Ai ka ngritur edhe çështjen e mosmbajtjes së mbledhjeve të Komisionit të Konkurrencës që nga maji i vitit 2025, ndonëse, sipas dokumentacionit të pranuar nga komisioni parlamentar, ky institucion ka pasur kuorum për të zhvilluar mbledhje.
“Sipas dokumentacionit që kemi pranuar, dy anëtarëve të komisionit, të emëruara nga Kuvendi i Kosovës, u është pamundësuar ushtrimi i mandatit për një periudhë të gjatë kohore, për më tepër që nga maji i vitit 2025. Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, pavarësisht se ka kuorum. Pra, Komisioni i Konkurrencës i ka tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, por që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur as edhe një mbledhje. Kjo do të thotë që mandati të cilin ia ka dhënë Kuvendi i Kosovës atij komisioni nuk po ushtrohet”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka kërkuar sqarime lidhur me bazën ligjore mbi të cilën dy anëtareve u është pamundësuar ushtrimi i mandatit, si dhe nëse për këtë ekzistojnë vendime formale.
“Ajo që dëshirojmë ne të dimë sot, pikësëpari nga kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, zonja Binaku-Isufi, e cila është përgjegjëse për organizimin e mbledhjeve të këtij komisioni, është: cila është baza ligjore mbi të cilën kryetarja ua ka pamundësuar ushtrimin e mandatit të dhënë nga Kuvendi i Kosovës dy anëtarëve të komisionit? A ekzistojnë vendime formale për këtë kufizim dhe cili organ ka pasur kompetencë të marrë vendim që anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës të mos ftohen në asnjë mbledhje të komisionit dhe të paralizohet puna e komisionit?”, ka deklaruar Mustafa.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka kritikuar mungesën e deputetëve të shumicës parlamentare në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke e cilësuar atë si bojkot të mbikëqyrjes parlamentare.
Ramadani ka thënë se situata në Autoritetin e Konkurrencës është alarmante, pavarësisht se cila nga palët që kanë ngritur pretendime për parregullsi ka të drejtë. Sipas tij, zgjidhja e vetme është ballafaqimi institucional i të dyja palëve para komisionit parlamentar.
“Besoj i kemi dëgjuar, madje shumë sot, dokumentet që na kanë ardhur për gjendjen në Autoritetin e Konkurrencës kryesisht. Këtë e them nga dy anët, ose nga dy pretenduesit dhe dy shpjegimet e gjendjes atje, por gjendja duket qartë se është më shumë sesa alarmante. Edhe nëse veç njëra palë ka të drejtë, situata është alarmante. Kemi njërën palë që pretendon për paligjshmëri nga udhëheqja, dhe kemi udhëheqjen e cila pretendon për paligjshmëri nga pala tjetër. Si e tillë, unë besoj që e vetmja formë publike, politike dhe institucionale është ballafaqimi i të dy pretenduesve. Ky ka qenë qëllimi edhe javën e kaluar, edhe sot. Ne si të zgjedhur jemi mbikëqyrës në emër dhe në përfaqësim të popullit të Kosovës, për të mbikëqyrur se si funksionon shteti, e në këtë rast Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës. Javën e kaluar nuk e kemi pasur kënaqësinë që të kemi strukturën tonë, ta themi kështu, sepse Kuvendi i ka zgjedhur dhe personi i punësuar prej Kuvendit të Kosovës nuk ka ardhur në komision. Këtë javë, duket se loja me shtetin ka shkuar në një fazë tjetër, duke parë se sot kemi bojkot të deputetëve të mazhorancës, të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe deputetëve të tjerë. Do të ishte e kuptueshme nëse mungojnë një, dy ose tre, por është e pakuptueshme nëse mungon e gjithë mazhoranca, përfshirë edhe anëtarët nga komitetet pjesë e koalicionit, çka i bie se koalicioni qeverisës po e bojkoton. Një temë është paligjshmëria në Autoritetin e Konkurrencës. Përgjigjja dhe kontrolli duhet të jepen nga nesh, por po dëshmohet se Lëvizja Vetëvendosje po ik nga mbikëqyrja e institucioneve. Jemi duke folur për miliona euro që qarkullojnë në ekonominë e Kosovës, të cilat ky autoritet duhet t’i mbrojë në mënyrë që askush të mos ketë mundësi të abuzojë me tregun. Fatkeqësisht, mendoj se të paktën dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë konflikt interesi direkt për shkak të bizneseve të tyre apo të afërmve të tyre, dhe kanë nevojë t’i mbrojnë ata njerëz, në vend që të ruajnë ligjin dhe kontrollin me saktësi. Kjo është një çështje përtej politikes, nuk po flasim për qëndrime apo çështje politike, dhe qëllimi i këtij pamundësimi për të bërë kuorum nuk është politik”, theksoi Ramadani./EO
Burimi: Dukagjini
