
Gazeta Sinjali ka siguruar detaje të reja për rrethanat që i paraprinë vdekjes së Blerta Hysenit, 26-vjeçares që ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi ishte ndaluar në Vërmicë në një rast ku u sekuestruan mbi 100 gramë kokainë e dyshuar. Sipas burimeve të Sinjalit, e reja ishte dërguar dy herë për kontroll në emergjencë përpara se të pësonte përkeqësimin fatal të gjendjes shëndetësore.
Ngjarja ka nisur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur hetuesit e antidrogës ndaluan në pikën kufitare të Vërmicës një veturë BMW X6, në të cilën ndodheshin Blerta Hyseni dhe Adnan Podvorica.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën dhe u sekuestruan mbi 100 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e cila, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ishte e kamufluar në veturë.
Pas ndalimit, hetuesit kishin ngritur dyshime se 26-vjeçarja mund të kishte gëlltitur apo fshehur në trup substanca narkotike.
Pikërisht për shkak të këtyre dyshimeve, sipas burimeve të Sinjalit, ajo ishte dërguar për ekzaminime mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë trajtimit të saj janë kryer edhe kontroll gjinekologjik dhe ekzaminim me ultrazë.
Sipas të njëjtave informacione, e reja ishte dërguar dy herë në emergjencë, ndërsa gjatë një episodi të mëvonshëm gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar rëndë.
Në ambientet ku po zhvilloheshin procedurat policore, asaj i është dhënë ndihma e parë dhe më pas është transportuar në emergjencë me shenja jete.
Një tjetër detaj që mëson Sinjali është se gjatë trajtimit të rastit është ngritur edhe dyshimi për një mbidozë të rëndë nga substancat narkotike.
Ky dyshim, sipas burimeve, është përmendur nga një mjek, por ende nuk është konfirmuar si shkak i vdekjes.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, 26-vjeçarja ka ndërruar jetë në orët e para të së hënës, më 16 nëntor.
Pas ngjarjes janë angazhuar njësitë hetimore dhe kriminalistika, ndërsa me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ende nuk është konfirmuar nëse Hyseni kishte gëlltitur substanca narkotike apo çfarë e shkaktoi përkeqësimin fatal të gjendjes së saj.
Përgjigjet për këto çështje pritet të dalin nga ekzaminimet mjekoligjore dhe hetimet për rrethanat e vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali