
Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes një autobusi dhe një kamioni në magjistralen Pejë-Prishtinë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:05, në fshatin Rixhevë të Klinës.
Sipas tij, në mesin e të lënduarve është edhe shoferi i autobusit, ndërsa të gjithë kanë kërkuar trajtim mjekësor.
“Rreth orës 14:05 është raportuar një aksident trafiku në fshatin Rixhevë të Klinës, në rrugën Pejë–Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një kamion. Përveç dëmeve materiale, sipas informacioneve të deritanishme, trajtim mjekësor kanë kërkuar shoferi i autobusit dhe nëntë persona të tjerë. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke u marrë me rastin”, ka thënë Elezaj.