Dhoma e Tregtisë në Tiranë dënon vandalizmin gjatë protestave: Dhuna nuk justifikohet nga asnjë kauzë

Dhoma e Tregtisë në Tiranë dënon vandalizmin gjatë protestave: Dhuna nuk justifikohet nga asnjë kauzë

Written by

in

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka shprehur shqetësim për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytetin shqiptar, duke kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, raporton Ekonomia Online.

Në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari i kësaj dhome, Nikolin Jaka, dhe shoqatat e biznesit, është dënuar vandalizmi ndaj institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të sipërmarrjeve.

Dhoma e Tregtisë ka theksuar se, ndonëse protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të arsyetohen me pakënaqësi apo përplasje politike.

“Asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në reagim.

Përfaqësuesit e biznesit kanë tërhequr vëmendjen edhe te pasojat ekonomike të këtyre veprimeve, duke theksuar se dëmtimi i bizneseve prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit, klientët dhe familjet që varen nga të ardhurat e tyre.

“Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit”, thuhet në deklaratë.

Dhoma e Tregtisë i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të veprojë në mënyrë profesionale dhe proporcionale, duke kërkuar që personat përgjegjës për aktet e dhunës të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale para ligjit.

Në të njëjtën kohë, organizatorëve të protestave dhe forcave politike u është kërkuar të shmangin gjuhën që nxit tensionet dhe të distancohen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzimin e situatës.

Dhoma e Tregtisë ka kërkuar gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara dhe komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet për procedurat e denoncimit.

Në përfundim, kryetari Nikolin Jaka ka ritheksuar se qëndrimi i përfaqësuesve të biznesit është i pavarur nga përkatësitë politike dhe në mbështetje të protestës paqësore, dialogut dhe zbatimit të ligjit.

“Mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen”, thuhet në deklaratë.

Burimi: Dukagjini