
Të gjitha bizneset vendore, prodhuesit dhe ndërmarrësit në Kosovë kanë mundësi të bëhen pjesë e kampanjës “Dhuro Made in Kosova”, e cila synon promovimin e produkteve vendore dhe rritjen e prezencës së tyre në tregun online.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI) ka bërë të ditur se në këtë nismë janë bashkuar tri platforma të tregtisë elektronike: Gjirafa, Foleja dhe Shopaz, përmes të cilave produktet e prodhuesve kosovarë do të promovohen dhe do të bëhen më të qasshme për konsumatorët.
Një nga përparësitë kryesore të kampanjës është se promovimi i produkteve në këto platforma do të ofrohet pa asnjë kosto për bizneset pjesëmarrëse.
Sipas MINTI-t, kampanja vjen në prag të festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit, periudhë kur qytetarët dhe diaspora bëjnë blerje të dhuratave, duke synuar kështu të rrisë interesimin për produktet e prodhuara në Kosovë.
Nisma do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027, ndërsa MINTI u ka bërë thirrje edhe platformave të tjera vendore që t’i bashkohen kampanjës.
Si mund të aplikojnë bizneset?
Bizneset dhe prodhuesit e interesuar mund të aplikojnë duke dërguar kërkesën e tyre në adresën elektronike: dhuro.mik@rks-gov.net.
Pas aplikimit, ata do të informohen për udhëzimet dhe hapat e mëtejshëm për t’u bërë pjesë e kampanjës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali