
Sean “Diddy” Combs, i dënuar për vepra penale që lidhen me prostitucionin, është transferuar në një burg federal në Pensilvani, pas raportimeve se producenti i diskredituar i muzikës po vazhdonte të shijonte një jetë luksoze në burg dhe se ishte lënduar në një përleshje në qendrën ku mbahej në Nju Xhersi.
Byroja Federale e Burgjeve në SHBA (BOP) po e transferon 56-vjeçarin Combs nga burgu FCI Fort Dix në FCI Allenwood Low, një institucion me siguri të ulët, në jug të Williamsportit dhe rreth 250 kilometra në perëndim të qytetit të Nju Jorkut, ka bërë të ditur për Associated Press një person i njohur me çështjen.
Personi, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, ka kërkuar të mbetet anonim, raporton The Guardian – transmeton Sinjali.
Më vonë, Agence France-Presse raportoi se një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve kishte konfirmuar transferimin e Combs nga Fort Dix në Allenwood Low.
Zëdhënësi i Combs, Juda Engelmayer, deklaroi se “vendimet për vendosjen e të burgosurve merren nga BOP dhe ne nuk jemi në pozitë të flasim për rrethanat që lidhen me këtë transferim”.
“Sean mbetet i përqendruar në vazhdimin e jetës së tij dhe shpresojmë që koha e tij në institucionin e ri të jetë produktive dhe pa ndërprerje të panevojshme”, tha Engelmayer.
Combs u dënua me katër vjet e dy muaj burg, pas vendimit të 2 korrikut 2025, kur u shpall fajtor për akuza që lidhen me transportimin e personave përtej kufijve shtetërorë për takime seksuale.
Gjatë gjykimit u dëgjuan dëshmi tronditëse për dhunë dhe festa seksuale, të cilat ai i quante “freak-offs”. Rasti shënoi një përballje të ashpër ligjore për njërën prej figurave më me ndikim në industrinë e muzikës dhe argëtimit.
Në shtator, NBC News raportoi se Combs po vazhdonte të shijonte disa aspekte të jetës së tij si milioner edhe në burgun FCI Fort Dix. Sipas raportimit, ai kishte futur kontrabandë konjak Hennessy, kishte shfrytëzuar të burgosur të tjerë për t’i gatuar ushqimin, për të pastruar, për t’ia rregulluar shtratin dhe për t’i bërë masazhe.
Po ashtu, ai dyshohej se kishte përdorur një telefon celular të futur ilegalisht në burg për të parë rrjetet sociale dhe fotografi nudo të një ish-të dashure.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Diddy transferohet në një burg tjetër, i prishet “rehatia” pas grilave appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali