Diplomati rus i dëbuar nga Bullgaria shfaqet në Serbi

Diplomati rus i dëbuar nga Bullgaria shfaqet në Serbi

Written by

in

Diplomati rus, Aleksandr Aleksandrovich Krasii, u akreditua këtë vit si asistent i atasheut ushtarak në Serbi, pesë vjet pasi mediat bullgare raportuan se ai ishte dëbuar nga vendi në kuadër të një skandali spiunazhi që shpërtheu mes Sofjes dhe Moskës.

Të dhënat e rrjedhura nga bazat ruse të të dhënave tregojnë se Aleksandr Krasii ka lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU), ka mësuar Systema, njësia hulumtuese në gjuhën ruse e Radios Evropa e Lirë (REL).

As Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dhe as Prokuroria Bullgare nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për informacion lidhur me rastin.

Hulumtimi i REL-it tregon se Krasii ndodhej në Serbi për rreth një vit pas dëbimit nga Bullgaria, por emri i tij u shfaq në listën diplomatike si asistent i atasheut ushtarak vetëm në vitin 2026.

Diplomati rus u dëbua në mes të një hetimi në Bullgari për një seri shpërthimesh në depot e armëve, për të cilat në atë kohë dyshoheshin shtetas rusë.

Moska mohoi çdo përfshirje në këto incidente.

Diplomati i dikurshëm dhe konsulenti për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë, Nikolla Lluniq, i tha REL-it se ky rast tregon se qëndrimi i institucioneve serbe ndaj kësaj çështjeje, e cila është e pranishme prej kohësh, nuk ka ndryshuar.

“Shërbimet e sigurisë duhet ta kryejnë detyrën që u është caktuar me Kushtetutë dhe ta mbrojnë shtetin nga pikëpamja e sigurisë dhe kundërzbulimit. Ju [REL-i] e vutë në dukje këtë edhe në vitin 2023, por institucionet nuk reaguan në asnjë mënyrë”, tha Lluniq.

Në një hulumtim të mëparshëm të vitit 2023, REL-i identifikoi tre diplomatë rusë që nisën misionet e tyre diplomatike në Serbi pasi ishin dëbuar ose futur në listën e zezë nga vendet e Bashkimit Evropian, në muajt pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Në atë kohë, REL-i konstatoi se njëri prej tyre kishte lidhje me një njësi të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), e akuzuar për sulme kibernetike ndaj sektorit energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa një tjetër kishte lidhje me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.

Njëri prej tyre vazhdon të shërbejë si diplomat rus në Serbi.

Mediat zbuluan identitetin e diplomatit

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dëboi një tjetër diplomat rus në fund të prillit të vitit 2021.

Siç thuhej në një deklaratë të lëshuar më 29 prill, dëbimi ishte pjesë e një serie dëbimesh, ndërsa ambasadori rus ishte thirrur për bisedime.

Megjithëse ministria nuk e bëri të ditur identitetin e tij, mediat bullgare e zbuluan atë.

Agjencia private e lajmeve Zona News dhe transmetuesi publik bullgar raportuan dy ditë më vonë se bëhej fjalë për nënkolonelin Aleksandr Krasii, i cili ishte asistent i atasheut ushtarak rus.

Zona News tha se këtë informacion e kishte marrë “nga burimet e saj”, ndërsa më vonë deklaroi se transmetuesi publik e kishte marrë informacionin prej saj pa cituar burimin.

Agjencia raportoi se Krasii duhej të largohej nga Bullgaria jo më vonë se më 5 maj.

Sipas Televizionit Kombëtar Bullgar, Krasii u bë diplomat i atij vendi në fund të vitit 2020 dhe mbërriti në Bullgari në fillim të vitit 2021.

U raportua, gjithashtu, se gjatë qëndrimit katërmujor kishte pasur vetëm një angazhim publik: në emër të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ai i kishte dorëzuar një dekoratë një aktivisti të shoqatës së rusofilëve në Bullgari.

Diplomati rus, Aleksandar Krasii (i dyti nga e majta), i ndau, në emër të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigu, një dekoratë një aktivisti të shoqatës “Rusofil” në Bullgari. Lajmi për këtë u publikua në uebsajtin e shoqatës, më 12 shkurt 2021.
Diplomati rus, Aleksandar Krasii (i dyti nga e majta), i ndau, në emër të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigu, një dekoratë një aktivisti të shoqatës “Rusofil” në Bullgari. Lajmi për këtë u publikua në uebsajtin e shoqatës, më 12 shkurt 2021.
Uebsajti i shoqatës publikoi një raport për këtë ngjarje, si dhe një fotografi të Krasiit me anëtarët e saj.

REL-i nuk mori përgjigje nga Televizioni Kombëtar Bullgar apo Zona News lidhur me mënyrën se si kishin përcaktuar se Krasii ishte diplomati i dëbuar, ndërsa as shoqata e rusofilëve nuk u përgjigj lidhur me dëbimin e tij nga Bullgaria.

Nga Bullgaria në Serbi

Pak më shumë se një vit pas dëbimit, Krasii u fotografua në një aktivitet në Universitetin e Mbrojtjes në Beograd.

Ai u fotografua mes instruktorëve dhe pjesëmarrësve që ndiqnin trajnime të avancuara në Shkollën e Mbrojtjes Kombëtare, një institucion arsimor ushtarak.

REL-i e identifikoi Krasiin, ndër të tjera, në bazë të shenjave në uniformën që mbante në atë aktivitet, ku shkruhej “A.A. Krasii”.

Emri Aleksandr Krasii u shfaq për herë të parë në listën diplomatike në vitin 2026. Kjo listë është regjistri zyrtar i diplomatëve të huaj, i cili përditësohet periodikisht dhe publikohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.

Po atë vit, REL-i e identifikoi atë në dy aktivitete në Beograd.

Në prill, ai mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave me lule, përpara një takimi të Komitetit Ndërqeveritar Serbo-Rus për Bashkëpunim Tregtar, Ekonomik dhe Shkencor-Teknik.

Disa javë më vonë, në maj, ai u fotografua duke marrë pjesë në marshimin “Regjimenti i Pavdekshëm”, një ceremoni që e ka origjinën në Rusi, ku u organizua për herë të parë në vitin 2012 për të përkujtuar ushtarët e Ushtrisë së Kuqe të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë dhe Ambasada Ruse nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment lidhur me misionin diplomatik të Krasii-t në Serbi.

U dëbua në mes të hetimit për shpërthimet dhe helmimin

Krasii u dëbua nga Bullgaria në mes të një hetimi, gjatë të cilit gjashtë shtetas rusë u akuzuan për përfshirje në një seri shpërthimesh të ndodhura përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare.

Në atë kohë, prokurorët bullgarë deklaruan se ekzistonte një “dyshim i arsyeshëm” se shpërthimet që goditën katër depo dhe objekte prodhimi në Bullgari, mes viteve 2011 dhe 2020, kishin lidhje me helmimin e tregtarit bullgar të armëve, Emilian Gebrev, në vitin 2015, si dhe me një shpërthim në depot e municioneve në Çeki në vitin 2014.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme deklaroi në atë kohë se mund të arrihej në përfundimin se “qëllimi i veprimeve të shtetasve rusë ishte ndërprerja e furnizimit me produkte speciale për Gjeorgjinë dhe Ukrainën”.

Në vitin 2015, tregtari i armëve Emilian Gebrev filloi të vjellte gjatë darkës në një restorant në Sofje. Më pas, u dërgua në një spital ushtarak, ku përjetoi halucinacione të forta dhe ra në koma. Edhe djali i tij u sëmur papritur, ashtu si drejtori i kompanisë së tregtimit të armëve EMCO, në pronësi të Gebrevit.

Gebrev u shërua përfundimisht.

Në atë kohë, hetuesit e lidhën të gjithë rastin me Republikën Çeke. Në vitin 2021, ky shtet akuzoi shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU-në, se qëndronte pas aktit të sabotimit në tetor të vitit 2014, në qytetin Vërbetice, ku shpërthyen 50 tonë municione dhe humbën jetën dy persona.

Prokuroria Bullgare nuk iu përgjigj REL-it lidhur me ecurinë e hetimit të përmendur ose nëse diplomati rus Aleksandr Krasii është gjithashtu pjesë e tij.

Adresat e oficerëve të inteligjencës ruse

Lidhjet e Krasiit me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë tregohen nga adresat e tij, ka mësuar Systema.

Në shumicën e bazave të të dhënave të rrjedhura ruse, përfshirë, për shembull, bazën e shërbimeve shtetërore “Gosuslugi”, të dhënat e një prej laboratorëve më të mëdhenj privatë në Rusi, Gemotest, si dhe një bazë të dhënash të sigurimeve shëndetësore, Krasii e paraqet si adresë të banimit “Devichye Pole, nr. 4”, në Moskë.

Kjo nuk është një ndërtesë banimi, por selia e Akademisë së Përbashkët të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, një nga institucionet kryesore arsimore ushtarake të Rusisë.

Duket se Krasii e ka dhënë adresën e tij të vërtetë vetëm në disa raste.

Një rast i tillë ishte kur aplikoi për të ashtuquajturat “leje COVID”, të vendosura në vitin 2020 dhe të kërkuara për lëvizjen nëpër Moskë gjatë izolimit. Për këto leje, aplikuesit duhej të jepnin pikën e nisjes dhe atë të mbërritjes së udhëtimeve të tyre.

Në të pesë lejet që Krasii mori në pranverën e vitit 2020, pika e nisjes ishte një adresë në rrugën “Marshal Biryuzov”: një herë pa numër ndërtese, një herë me numrin 2, një herë me numrin 7 dhe dy herë me numrin 4.

Sipas gazetarëve hulumtues, në adresën e fundit ndodhen banesa për familjet e oficerëve që studiojnë në të ashtuquajturin “Konservator”, ose Akademinë Diplomatike Ushtarake.

Shumë oficerë dhe operativë të ardhshëm të inteligjencës ushtarake ruse, GRU, janë diplomuar në këtë akademi dhe kanë jetuar në atë adresë. Mes tyre është edhe Anatoly Chepiga, i cili mori pjesë në tentativën për helmimin e agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, në vitin 2018, në Salisbëri të Anglisë.

Duke pasur parasysh se, sipas raportimeve të mediave bullgare, Krasii ishte caktuar tashmë në konsullatën ruse në Bullgari në fund të vitit 2020, duket se caktimi i tij atje ndodhi menjëherë pas përfundimit të studimeve në “Konservator”.

Sipas të dhënave të rrjedhura, Krasii kaloi pothuajse dy vjet, nga viti 2013 deri në vitin 2015, në qytetin Gorni, në krahinën ruse Zabaikalski.

Gorni është një nga rreth 40 qytetet e mbyllura të Rusisë, që do të thotë se për të hyrë në të nevojitet leje e posaçme.

Gorni është i mbyllur sepse deri në vitin 2002 aty ndodhej Divizioni i 4-t Strategjik i Raketave i Forcave Raketore Strategjike të Rusisë.

Divizioni u shpërbë më vonë dhe, sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Gorni ndodhen disa njësi të Forcave të Armatosura Ruse, asnjëra prej të cilave nuk lidhet me raketat strategjike apo armët bërthamore. Megjithatë, Gorni e ka ruajtur statusin e qytetit të mbyllur deri më sot.

Ky nuk është rasti i parë i njohur kur oficerë të GRU-së, që shërbejnë jashtë vendit, kanë jetuar më parë në qytete ushtarake të mbyllura të Rusisë.

Oficeri i GRU-së, Yuri Mikheev, i cili vepron nën mbulesë diplomatike në vende afrikane, jetoi nga viti 2010 deri në vitin 2015 në qytetin e mbyllur Ozerni, në rajonin Tver, i cili, ashtu si Gorni, lidhet me Forcat Raketore Strategjike të Rusisë.

Një tjetër diplomat i dëbuar vazhdon të jetë në Serbi

Krasii nuk është i vetmi diplomat rus që, pas dëbimit nga një vend i BE-së, përfundoi në një mision diplomatik në Serbi.

Qindra diplomatë rusë u dëbuan nga shtetet anëtare të BE-së ose u futën në listën e zezë në muajt pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

REL konstatoi se të paktën tre prej këtyre diplomatëve u bënë përfaqësues të akredituar të Rusisë në Serbi, përfshirë dy që kishin lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës.

Diplomatët rusë nuk u dëbuan nga Serbia në vitin 2022, sepse, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Moskës dhe vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Mes të tjerëve, Alexey Ivanenko u shfaq në listën diplomatike të Serbisë pasi u dëbua nga Kroacia në vitin 2022.

Bazat e të dhënave të rrjedhura të qeverisë ruse tregojnë se Ivanenko punonte si “inxhinier” në njësinë ushtarake 71330, një emërtim tjetër për Qendrën 16 të FSB-së ruse.

Ivanenko figuron ende në listën e fundit diplomatike të Serbisë, të publikuar në shtator.

Autoritetet serbe nuk iu përgjigjën hulumtimit të REL-it në vitin 2023.

“Qendër e aktiviteteve të inteligjencës ruse”

Diplomati i dikurshëm Nikolla Lluniq i tha REL-it se fakti që “diplomatët e dëbuar” gjetën një bazë në Serbi ngre dyshime se Beogradi është një “qendër e aktiviteteve të inteligjencës ruse”.

“Serbia ka krijuar një mjedis ku Rusia mund të ruajë kapacitetet diplomatike që po i humb në disa pjesë të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, kapacitetet diplomatike të Rusisë po rriten, gjë që, si rregull, shoqërohet me rritjen e aftësive të saj të inteligjencës”, tha ai.

Hulumtimi i REL-it i vitit 2023 tregoi se numri i diplomatëve rusë u rrit nga viti 2022 në vitin 2023, në një kohë kur vendet e BE-së po dëbonin diplomatë rusë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, numri i diplomatëve rusë është edhe më i lartë tani.

Lista diplomatike e shtatorit të vitit 2026 përmban 79 diplomatë rusë, krahasuar me 62 në vitin 2023./REL

 

Burimi: Dukagjini