Gjashtë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje sot, ku në rend dite janë shqyrtimi i projektligjeve, mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe çështje të tjera që lidhen me fushat përkatëse.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të mblidhet në orën 10:00. Në rend dite janë shqyrtimi në parim i Projektligjit për efiçiencë të energjisë, shqyrtimi i vendimit të presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpallja e konkursit për drejtor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), si dhe raportimi i kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, lidhur me gjendjen në këtë institucion.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të mbajë mbledhjen në orën 10:30. Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, krahas miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së kaluar.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të mblidhet në orën 11:00. Në rend dite janë mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe çështja e grupeve të miqësisë, përveç miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së kaluar.
Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur do të mbajë mbledhjen në orën 12:00. Pika kryesore e diskutimit do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i draft-planit të punës së Komisionit Funksional.
Komisioni për Arsim dhe Shkencë do të mblidhet po ashtu në orën 12:00. Anëtarët do të shqyrtojnë planin e punës së komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026, si dhe do të diskutojnë çështje të tjera.
Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do ta mbajë mbledhjen në orën 13:00. Në rend dite janë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Burimi: RTKLive
